Stivi Vecaj, 17-vjeçari që premton për Vllazninë
Shumë shpejt Vecaj pritet të ndjekë rrugën e të rinjve të tjerë, që janë grumbulluar me ekipin e parë
Të evidentosh lojtarët me të ardhme në ekipet e Akademisë Vllaznia sigurisht që nuk është e lehtë. Fakti që tre 18-vjeçarë janë duke luajtur tek ekipi i parë e tregon më së miri këtë gjë. Përveç Tafës, Demës e Markolajt, të tjerë emra të spikatur e që stërviten me ekipin e parë janë Guri, Balaj, Idrizi etj. Është edhe një emër tjetër, një futbollist me shumë perspektive, Stivi Vecaj, i cili ende nuk i ka mbushur 18 vjeç.
I ardhur nga paratërinjtë, pas shpalljes kampion sezonin e shkuar, ai ka filluar të lërë gjurmë edhe te 19-vjeçarët. Ndonëse është më i ri në moshë, ka filluar të jetë protagonist. Në ndeshjen e javës së 12-të, ndaj Besës, me futjen e tij në fushë në pjesën e dytë, loja e Vllanzisë u bë më e larmishme. Shënoi një gol, por u bë protagonist në shumë aksione të tjera. Edhe në takimin e radhës ndaj Tiranës ka bërë një paraqitje të mirë. Dalëngadalë po i bind trajnerët Ilir Dibra e Alban Noga, të cilët e konsiderojnë të perspektivës.
Modeli, Del Piero
Vecaj është shtatshkurtër, në fakt, por shumë teknik. Për më tepër, luan në disa pozicione në mesfushë. Trajnerët e aktivizojnë herë në të djathtë, herë në të majtë, por edhe pas dy sulmuesve. Madje ky është pozicioni i tij i preferuar, sepse është lojtar që di ta japë mirë pasin e fundit. Ndoshta ngaqë modeli i tij në futboll është një futbollist i famshëm, Alesandro Del Piero. Ja se çthotë vetë Stivi:
Modeli im ka qenë ai i Del Pieros. Jam rritur duke parë mrekullitë e këmbëve të këtij lojtari dhe mendoja gjithmonë nëse një ditë do të bëja edhe unë sadopak nga ato gjëra. Jam i kënaqur me mënyrën si kam ecur deri tani, por duhet shumë punë për të arritur aty ku duhet. Unë dëgjoj me vëmendje çdo fjalë të trajnerëve të mi. Ëndrra ime është që një ditë të vesh fanellën e Vllaznisë dhe të kontribuoj për të.
Vlerësimi i trajnerëve
Vecaj fillimisht ka punuar me të mirënjohurin Ardian Arra, prej të cilit ka marrë mësimet e para të teknikës. Më pas, për katër vite me radhë me trajnerin Kreshnik Krepi, për të kaluar te 17-vjeçarët e Vllaznisë me trajner Entri Çakun, me të cilin ka dalë kampion vitin e kaluar. Tashmë punon me trajnerët Ilir Dibra dhe Alban Noga te 19-vjeçarët e Akademisë së Vllaznisë.
“Me Stivin jam marrë që kur ai ishte 10 vjeç. Kishte një pasion të madh dhe qysh në ditët e para të punës me ekipin ai spikaste, duke shfaqur shumë vlera. Është shumë teknik, inteligjent në lojë dhe shkrihet mirë me ekipin. Luan mirë me të dyja këmbët dhe e njeh mirë pasin e fundit. Fakti që është pak i shkurtër, nuk ndikon aspak në lojën e tij, sepse këtë dfekt, nëse mund ta quajmë kështu, e mbulon me teknikën e madhe që zotëron.
Unë mendoj se është një lojtar që ka një të ardhme të sigurt përpara,- Është shprehur trajneri Krepi për ish-lojtarin e tij. Fjalë të mira flet edhe Entri Çaku, që e ka pasur tek ekipi i 17-vjeçarëve të Vllaznisë, megjithatë ajo që ka rëndësi, është që Stivi Vecaj duhet të vazhdojë në këtë rrugë që ka nisur. Ai duhet patjetër të ndjekë shembullin e disa futbollistëve të tjerë të rinj, që po aktivizohen me ekipin e parë të Vllaznisë. Dita kur do ta bëjë këtë gjë edhe Stivi nuk do të jetë e largët.
