U-17 e Flamurtarit ruan traditën e futbollit vlonjat
Nga skuadra e Adrian Ninit kanë dalë shumë lojtarë për U-19-ën, që aktivizohen edhe me ekipin e parë
Është një fakt interesant, që nuk ndodh shpesh në skuadrat e moshave të kampionatit tonë, të cilat firojnë rrugës deri tek ekipet e të rriturve. Nëse shohim arkivin e protokolleve, të paktën në katër vitet e fundit, do të konstatojmë se lojtarët e vitit 2008 të trajnerit të Flamurtarit U-17, Ardian Nini, aktualisht aktivizohen në kampionatin e të rinjve, që drejtohet nga Ardi Behari.
Xhaferri, Hysa, Kuçi, Nelaj, Azizi, Qejvani, Stara, të cilët sot aktivizohen pjesërisht edhe tek ekipi i të rriturve të Flamurtarit në ndeshjet miqësore dhe të Kupës së Shqipërisë kanë qenë pjesë e U-17-ës vite më parë. Trajneri i suksesshëm Adrian Nini së bashku me zëvendësin e tij Taulant Çerçizi (ish-mesfushor i Flamurtarit) ka punuar intensivisht për formimin e një skuadre konkurrente, për tu renditur gjithmonë në skuadrat e kreut të klasifikimit.
Gjithmonë në krye
Në katër sezonet e fundit të kampionatit shqiptar, U-17 e Flamuratrit është renditur jo më poshtë sesa nga vendi i 3-të. Edhe këtë kampionat, ku konkurrojnë shumë skuadra të forta, Flamurtari U-17 po lufton të kapë kreun e renditjes. Aktualisht Flamurtari ka 27 pikë dhe ka shënuar 29 gola dhe pësuar 10 në 13 ndeshje.
Vetëm në dy takimet e fundit ndaj Shkëndijës së Durrësit dhe Besës së Kavajës ka fituar me rezultate bindësë 2-0 dhe 3-2. Në skuadër ka lojtarë mjaft të talentuar si portieri Xhekaj, mbrojtësit Borakaj, Bleta, Llanaj, Zeqaj, pa harruar mesfushorët Koçani, Aliaj, Alikaj e në fund sulmuesit Bregu dhe Shenaj.
Bashkëpunimi me Vlorën
Për konturimin dhe ecurinë pozitive të kësaj skuadre shprehet trajneri i paratërinjve kuqezinj, A. Nini: Kam një krenari të ligjshme për përgatitjen dhe formimin e brezave të lojtarëve të talentuar. Disa prej tyre sot aktivizohen tek skuadra U-19 si dhe me pjesë kohe në ndeshjet miqësore dhe në Kupën e Shqipërisë me të rriturit e Flamurtarit. Ky fakt nuk është i rastësishëm, por ka ardhur falë vëzhgimit dhe seleksionimit të përhershëm në të gjitha skuadrat e moshave.
Kemi një skuadër mjaft të mirë dhe lojtarë që mësojnë të lëvizin shpejt gjatë lojës me topin, të pasojnë saktë dhe të arrijnë te finalizimi i aksioneve sulmuese. Deri tani skuadra ka shënuar 29 gola dhe ka pësuar vetëm 10 në vetëm 13 ndeshje, pra ka shënuar më shumë se 2 gola për ndeshje. Veç stërvitjes komplekse 2 herë në javë, ne zhvillojmë 2 ndeshje kontrolli.
Në ndeshjen e kontrollit në fillim të javës skuadra ndeshet me Vlorën e trajnerit Gentian Mezani (ky një tjetër trajnier i suksesshëm ashtu si dhe A.Nini). Ndërsa ditën e enjte zhvillohet ndeshja e kontrollit brenda familjes, titullarët kundër rezervave për ndeshjen e radhës. Kjo mënyrë organizimi dhe metoda e punës së stërvitjes kanë ndikuar pozitivisht në formimin e skuadrës, që ka arritur rezultate pozitive.
