E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Mandatin e dytë, Tepelena do të ketë trefishin e investimeve

Kryetarja e Kuvendit takohet me gratë dhe vajzat në Tepelenë

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në turin me gratë për një Shqipëri që po ndryshon u ndal në Tepelenë në një takim me qindra zonja, nëna e të reja të këtij qyteti.
Gjatë fjalës së saj përpara banorëve të kësaj zone, Kryetarja e Kuvendit tha se
“dëgjova për shifra dhe investime të rëndësishme që janë bërë në Tepelenë, janë bërë shumë më shumë seç janë bërë vite më përpara. Shumë mirë që janë bërë. Më shumë do të bëhen. Ju them juve zonja se në mandatin e ardhshëm Tepelena do të ketë 3-fishin e këtyre investimeve, do të ketë më shumë para për të lidhur lagje të tjera me rrugë të tjera dhe për ta bërë Tepelenën ashtu siç e ka emrin të madh, për të cilën ju jeni krenarë, të gjithë shqiptarët janë krenarë, për ta bërë Tepelenën me mirëqenie më të madhe, edhe më moderne, edhe më të bukur”.
Duke vijuar më tej, kryeparlamentarja Topalli duke iu drejtuar banorëve të kësaj zone tha se, “Më thoni! Ka ndonjë qytet sot që nuk ka ujësjellësin, ujin në shtëpi? Ka ndonjë qytet sot që nuk ka 24 orë në 24 orë energji në shtëpi? Por, energji do të thotë ekonomi. Ekonomi do të thotë investim. Investim do të thotë të ardhura. Investim do të thotë punësim. Ky është projekti ynë. Ky është projekti i mandatit të ardhshëm. Do të jetë një Shqipëri e bukur, siç e ka falur Zoti”, premtoi Kryetarja e Kuvendit.
Duke iu drejtuar vajzave dhe grave të këtij qytetit, Topalli vlerësoi lart rolin e gruas, duke u shprehur se, “kush më shumë se amësia mund të bashkojë? Kush më shumë kujdeset ndaj fëmijës, nga momenti që lind dhe na i venë në krahun tona si nëna, dhe pastaj çdo ditë, çdo natë, çdo orë mbi kokën e fëmijës, kur është i sëmurë, kur qan, kur qesh kur ka hall? Ndaj dhe unë gjithmonë kam besuar se ne gratë kemi një gjuhë të përbashkët”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›