E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP, 7-9 për qind e të rinjve drogohen

Të rinjtë e Tiranës, si dhe të qyteteve më të mëdha në vend, konsiderohen si grupet më të mëdha të përdorimit të drogës. Alban Ylli, drejtori i Shëndetit Publik, ka deklaruar ditën e djeshme se rreth 6-7% e të rinjve, përdorin droge duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri tek kokaina, heroina, me injeksione.

Por përveç të rinjve, në grupet e riskut futen dhe ata që kanë sëmundje, seksualisht të transmetueshme si HIV/AIDS. "7-9 për qind e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Pra, u është ofruar përdorimi i një droge pranë mjedisit të shkollës, çka do të thotë që trafikantët e drogës, funksionojnë tashmë kudo, edhe pranë shkollave", tha Ylli. Përsa i përket grupmoshave, ato janë nga më të ndryshme, duke përfshirë këtu dhe moshat e mesme, por ndërkohë nuk mund të përjashtohen edhe të moshuarit, thotë drejtori i ISHP-së. "Kemi edhe mosha të tjera, edhe 40 vjeçarët. Nuk kemi të dhëna mbi personat të moshuar, por nuk përjashtohen. Megjithatë bazuar në sistemet e informacionit që disponojmë për momentin mund të themi që nuk janë ato grupet me risk më të lartë", tha Ylli. Për herë të parë, vendi ynë sipas Alban Yllit, pritet të ketë një strategji kombëtare , e cila, do të raportojë shifra të sakta zyrtare, grupet e riskut si dhe moshat e përdoruesve. Përdoruesit e drogës në vendin tonë, mbeten në shifra tepër të larta dhe shqetësuese. Statistikat më të fundit, raportojnë rreth 40 mijë përdorues, nga të cilët 8000 mijë kanë nevojë për trajtim, një nga të cilat është ajo me metadon që po përdoret. "Bëhet fjalë nga 30 deri në 40 mijë përdorues që janë të gjitha llojet e drogave. Flasim për 8 mijë përdorues që janë përdorues që duan terapi, persona që mund të injektojnë ose që përdorin heroine, dhe kjo mbahet si një nga format më të rënda të drogës. Në Tiranë bëhet fjalë për 130 klientë që marrin terapi përditë, po këtu mund të shtojmë 55 në Durrës, pesë në Elbasan dhe Vlora e Korça edhe 100 të tjerë", tha Genci Muçollari, "Aksion plus". Historia e Klodit, është një ndër mijëra historitë e të rinjve të cilat e kanë filluar drogën, duke u shtyrë nga shoqëria e tyre. Por edhe pse pas 13 vjetësh, Klodiani mund ti mbijetonte drogës, dhe ti kthehej sërish normalitetit. Ai mundi ti thoshte asaj stop në kohë, për të shpëtuar jetën e tij e për të mos qenë më në listën e gjatë të përdoruesve të drogës. Ndërkohë në vendin tonë ka filluar që prej disa vitesh trajtimi me metadon i cili mund të kryhet vetëm në qendrën aksion Plus. Metadoni është një substancë e cila ka efekte të mëdha përsa i përket kundra veprimit ndaj heroinës. Nga pikëpamja mjekësore është në vetvete një lloj droge por e padëmshme. Me të mund të jesh vartës ashtu si edhe me drogat por nuk të vret. Trajtimin me metadon është nisur nga drejtuesit e qendrës, duke u bazuar me thënien  filloje me pak dhe syno për më lart. Metadoni ashtu si është efektiv mund të jetë edhe i rrezikshëm sepse merret me një dozë të caktuar dhe nëse pasi e merr personi nuk duhet të përdorë absolutisht asnjë substancë tjetër qoftë edhe alkoolike apo ndonjë qetësues. Duke parë edhe efektin që ka metadoni edhe pse është shumë i kërkuar përfundimisht stafi vendosi që doza tavan për çdo pacient të jetë 60-80 mg.

Last Updated on E Premte, 18 Qershor 2010 20:16

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›