E Diel, 1 Nëntor 2026

Stonestreet: Zgjedhjet transparente, por numërimi i votave po zgjatet

11/05/2011  Misioni i vëzhguesve zgjedhorë i OSBE-ODIHR-it publikoi dje raportin e 3-të

Misioni i vëzhgimit i OSBE-ODIHR-it publikoi dje raportin e tretë paraprak për zgjedhjet vendore të 8 majit. Në raport theksohet se KQZ-ja funksionoi mirë dhe në mënyrë transparente në anën teknike, kurse në debate, theksohet në raport, polarizimi i lartë partiak solli dhe këtu debate politike dhe vendime politike që më pas u korrigjuan nga Kolegji Zgjedhor. “KQZ-ja funksionoi në mënyrë transparente; edhe pse pati ndarje të qarta politike e bëri punën e vet të përgatitjeve teknike të zgjedhjeve. Por ky ambient i polarizuar pati ndikim në punën e KQZ, ku diskutimet ishin të një natyre politike dhe vendimet në fund u morën në pas në linja politike dhe jo në mënyrë kolegjiale dhe disa u kthyen pas nga kolegji zgjedhor”, u shpreh shefi i vëzhguesve Jonathan Stonestreet. Më tej Stonestreet theksoi gjithashtu se u shkelën disa afate ligjore mbi emërimin e komisionerëve dhe moscaktimi i tyre nga opozita e detyroi KQZ-në që të ndërhynte. “PD dhe PS nuk i caktuan në kohë dhe komisionerët në qendrat e votimit dhe në ato të numërimit dhe u vunë re vonesa në procedura në procesin zgjedhor”.

Vëzhguesit e vlerësuan se zgjedhjet vendore më 8 maj 2011 ishin konkurruese dhe transparente, por u organizuan në një ambient polarizimi tejet të lartë ku OSBE-ODIHR theksuan sidomos mungesën e organizimit të partive dhe qeverisë. Me një zë të përbashkët OSBE-ODIHR e konsideroi të qetë në përgjithësi ditën e zgjedhjeve, por nuk kurseu kritikat për procesin e numërimit të votave. “Të kalojmë në ditën e zgjedhjeve. Në kundërshtim me periudhën parazgjedhore, dita e zgjedhjeve në vetvete ishte një ditë përgjithësisht e qetë, por procedurat nuk u ndoqën në disa raste. Deri më tani vëzhgimi në numërim po vijon mirë me përjashtime. Numërimi po ecën në mënyrë të ngadaltë, numërimi ka pasur dhe ndërprerje në disa raste. Për këtë proces ne do nxjerrim një deklaratë përfundimtare dhe kjo do dalë pas 2 muajsh, ose 6 javësh”, tha Stonestreet. OSBE-ODIHR theksoi se pati përmirësime të dukshme dhe në prej tyre ka qenë puna me listat e zgjedhësve. Por pozitive, sipas OSBE-ODIHR-it, ka qenë pasqyrimi që mediat i bënë fushatës zgjedhore, procesit të votimit dhe tashmë atij të numërimit. Mediat e ekuilibruara dhe të paanshme rritën besimin tek qytetari për procesin zgjedhor, tha Stonestreet. Sipas vëzhguesve, e rëndësishme është të evidentohet problematika në këtë proces që më pas në procese zgjedhore të ardhme këto ngërçe të mos përsëriten. Ndër të tjera, misioni i OSBE-ODIHR-i theksoi se fushata u shoqërua me retorikë të ashpër nga të dy kahet politike.

Numërimi

Sipas vëzhguesve të ODIHR-it, qendrat e numërimit po funksionojnë mirë, me përjashtime të vogla, ku ka pasur vonesa. “Pjesë të rëndësishme e këtij procesi janë ende në vazhdimësi dhe përfundimet do të nxirren me përafërsi 6 javë më pas”, thanë vëzhguesit.

Vëzhgimi

“Misioni do të qëndrojë edhe dy javë në terren dhe nuk do të largohet. Vëzhguesit afatshkurtër ndodhen për ndjekje nga afër të numërimit”, tha dje kreu i misionit të ODIHR-it në deklaratën për media, ku u prezantua raporti paraprak mbi zgjedhjet.

Partitë

“Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, të dyja partitë kryesore nuk i kryen detyrat e tyre të përbashkëta duke krijuar negativitet në administrim të procesit, deklarata nga të dyja partitë që vinin në pikëpyetje integritetin e besimit ulën besimin e qytetarit”, theksoi Stonestreet.

Vlerësimi për raportin ODIHR

Berisha: Do respektojmë verdiktin e sovranit

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi punën e misionit të ODIHR në vendin tonë. Menjëherë pas publikimit të raportit të këtij misioni lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve lokale 2011, kryeministri Berisha dha vlerësimet e tij. “Vlerësoj deklaratën e ODIHR-i, njëherësh vlerësoj punën e numëruesve si dhe të përfaqësuesve të medias, që kanë raportuar vetëm të vërteta”, vuri në dukje kreu i ekzekutivit në daljen e tij publike, sa i takon këtij raporti. Sipas tij, qeveria mbetet e vendosur që procesi i numërimit të votave të finalizohet në mënyrë transparente dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Madje, kryeministri Berisha garantoi qytetarët se çdo votë do të marrë peshën që meriton në përputhje me ligjet e vendit. “Dua të theksoj se është një fazë shumë delikate, pasi mbetet një pjesë e rëndësishme për t’u kompletuar. Në Tiranë është më vështirë për t`u numëruar sepse është dopio”, nënvizoi Berisha, sa i takon kësaj çështje. Gjithashtu, në vlerësimin e kreut të qeverisë, kampi i djathtë i udhëhequr prej tij do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Kjo, pasi në vlerësimin e kryeministrit Berisha duhet të pranohet verdikti i popullit, cilido që të jetë ai. “Mbetem i vendosur të përshëndes të zgjedhurit, sapo KQZ-ja të japë rezultatet”, garantoi Berisha gjatë konferencës së tij për shtyp, duke bërë me dije se qëndrimi zyrtar i PD-së do jetë vetëm pas publikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›