E Shtunë, 31 Tetor 2026

PRoceci zgjedhor ne rrethe

11/05/2011  Vijon numërimi për Bashkinë e Shkodrës, në avantazh Lorenc Luka i PD-së

Shkodër, fituesit në komuna me pak diferencë

VIRTYT ABDYLI

SHKODER- Në KZAZ-në numër 40 janë numëruar më shumë se gjysma e kutive deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Për Bashkinë Shkodër konkurrojnë Lorenc Luka i PD-së dhe Genc Uruçi i PS-së. Rezultatet e fletëve të votimit të kutive kanë nxjerrë si kryesues kandidatin e PD-së, Lorenc Luka, me mbi 3 mijë vota më shumë se kandidati i PS-së, Genc Uruçi.

Numërimi në Shkodër

Ndërkohë në komunën Bushat ka përfunduar procesi i numërimit të votave rreth orës 02:30 të ditës së martë. Fitues me 2811 vota më shumë është shpallur kandidati i “Aleancës për qytetarin” Zef Hila, i cili konkurroi përballë kandidatit të “Aleancës për të ardhmen” Gojart Salja. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, kandidati i PS-së Salja uroi për fitoren kandidatin e PD-së Zef Hila. Nga ana e tij kandidati fitues i PD-së, Zef Hila përgëzoi kandidatin e PS-së, Salja për fushatën zgjedhore që organizoi duke treguar vlera të vërteta qytetarie. Vlen të theksohet se kandidati Zef Hila ka fituar mandatin e pestë për drejtimin e komunës së Bushatit. Pas shpalljes së rezultatit për komunën e Bushatit, KZAZ numër 41, që përfshin zonat e Nënshkodrës, ka filluar procesin e numërimit për komunën Gur i Zi. Në këtë komunë konkurrojnë mes tyre kandidati i “Aleancës për qytetarin” Broz Marku dhe kandidati i “Aleancës për të ardhmen” Martin Lazri. Në këtë KZAZ ka përfunduar numërimi i kutive të votimit nga ku ka dalë fitues kandidati i PS-së Martin Lazri.

Në KZAZ numër 42 është shpallur fitues për komunën Rrethina kandidati i PS-së, Kleves Muja, i cili konkurroi me kandidatin e PD-së Gëzim Hardolli. Pas shpalljes së rezultatit për komunën Rrethina, kjo KZAZ filloi numërimin e votave për Bashkinë Vau i Dejës. Numërimi i votave vijoi gjithë natën deri rreth orës 7:30 të mëngjesit të së martës, kur dhe përfundoi numërimi i të gjitha fletëve të kutive të votimit për Bashkinë e Vaut të Dejës. Rezultatet e numërimit nxorën fitues me 10 vota më shumë kandidatin e PD-së Gjon Marku, kundrejt kandidatit të “Aleancës për të ardhmen” Dedë Dodani. Pas përfundimit të numërimit të kutive të Vaut të Dejës, KZAZ-nr 42 ndaloi numërimin e komunave të tjera për shkak të lodhjes. Numërimi në këtë KZAZ rifilloi në orën 18:00. Në KZAZ numër 44 që përfshin rrethin Malësi e Madhe, pas përfundimit të numërimit të votave për komunën Gruemirë, që nxorën si fitues kandidatin e PS-së Lirim Nehani, ka filluar numërimi për komunën e Kastratit dhe të Bashkisë së Koplikut. Për Bashkinë e Koplikut konkurrojnë Ramadan Lika i PD-së dhe Nazmi Hasani i PS-së. Për Bashkinë e Koplikut janë numëruar 5 kuti nga 7 që janë gjithsej, prej të cilave ka dalë si kryesues me 283 vota kandidati i PD-së Ramadan Lika.

Defektet në monitor përplasin numëruesit

Fier, KZAZ nr. 20 me

probleme dhe konflikte

FIER- Numërimi i votave në KZAZ-në nr 20 ka filluar rreth orës 11:00 të ditës së sotme, por vetëm pak minuta më vonë është ndërprerë. Shkak i kësaj ndërprerje është bërë konflikti midis vëzhguesve, pasi pati kontestime për fletët e votimit. Për këtë arsye u ndërpre procesi i numërimit të kutive për të filluar sërish rreth orës 15:00. Kjo KZAZ ka 8 njësi të qeverisjes vendore të rrethit Fier, në zonat rurale të saj. Aktualisht ka përfunduar procesi i numërimit të komunës Levan ku është fitues kandidati i PS-së Xheladin Malaj kundrejt Agim Qejvanit të PD. Ndërsa në Cakran fitues është kandidati i PD-së Vladimir Korcari. Procesi i numërimit të komunës Cakran përfundoi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Korcari fitoi me 2883 vota kundrejt 2709 vota që fitoi kandidatja e PS-së Fatbardha Merkaj. Pas përfundimit të këtij procesi KZAZ numëron votat e komunës Dermenas, ku më tepër premisa ka të fitojë kandidati i PD Fadil Selaci kundrejt Viktor Fasko i PS-së. Problemet në 2 monitorët e KZAZ nr 20 ku bëhet numërimi i kutive për 8 komuna të Fierit u bë objekt debate në mesditë mes anëtarëve të numërimit të votave dhe vëzhguesve të forcave të ndryshme politike. Pas përfundimit të numërimit të fletëve të votimit për komunat Levan dhe Cakran, grupet e numërimit kanë filluar punën për numërimin e komunës Dermenas ku kandidonin Fadil Selaci (PD) dhe Viktor Fasko (PS). Paqartësia e një vëzhguesi e një flete votimi ka sjellë konflikt i komisionerëve të PD dhe vëzhguesve të forcave të ndryshme dhe atyre të majtë. Debatet mes numëruesve ka tërhequr vëmendjen mes të gjithë grupeve të numërimit dhe vëzhguesve. Si pasojë është ndërprerë procesi i numërimit rreth 1 orë dhe vëzhguesit e OSBE ODHIR regjistruan këto parregullsi. Një orë më vonë gjithçka vazhdoi në normalitet. Edhe në qytetin e Lushnjës procesi i numërimit të votave ka shkuar me ndërprerje. Procesi është ndalur në mesnatën e së hënës. Sipas zv/prefektit të Lushnjës, Florian Dani, nuk ka pasur incidente apo probleme gjatë procesit të numërimit të votave, arsyet e ndërprerjeve kanë qenë për probleme teknike dhe për shkak të lodhjes së anëtarëve të grupit të numërimit të votave. Sipas tij, rezultatet e para nxjerrin fitues kandidatin e PS, Fatos Tusha. A. Damini

Pretendimet nga kandidati Hushi, gjenden fletë të dyshimta

Elbasan, akuza për votim me 2 fleta votimi

ELBASAN- Procesi i numërimit të votave ka vazhduar me ngadalësinë e breshkës në Bashkinë Elbasan, ndërkohë që në bashkitë e tjera dhe në komuna ka pasur rezultate surprizë ku komuna dhe bashki të majta janë fituar nga të djathtët dhe anasjelltas. Por e gjithë vëmendja është përqendruar në Bashkinë Elbasan ku numërimi u ndërpre gjatë gjithë natës dhe u rikthye aty rreth orës 10.00. Për këtë arsye KZAZ 12 është më prapa për sa i përket numërimit. Kur kanë kaluar më shumë se 40 orë numërim nga 95 kuti votimi janë numëruar vetëm 48. E vetmja situatë që ka tensionuar disi numërimin në Bashkinë Elbasan ka qenë një qendër votimi nr 2323 tek shkolla Sul Domi në lagjen “5 Maji”. Në këtë qendër sipas kryetarit të PD-së Luçiano Boçi dhe kandidatit Durim Hushi ka ndodhur efekti “stafetë” ose “karusel” ku vota bosh ka qarkulluar jashtë qendrës së votimit dhe një votues ka votuar me dy fletë për të njëjtin kandidat. Sipas “Aleancës për qytetarin”, kjo është qendra më e madhe e votimit në Elbasan me 1821 votues i përket një lagje periferike dhe e njohur si bastion i kandidatit Hushi. Në përfundim të numërimit u vunë re vota me shenjë që sillnin dyshime për pretendimin e PD-së. Kështu në kutinë 23 Sejdini mori 481 vota, Hushi 278 dhe 49 vota kanë dalë të pavlefshme të shënuara në anë të tyre. Ndërkohë procesi ka vazhduar në të 6 KZAZ-të ku është vënë re se janë thyer bastionet e të majtës si Cërriku, Belshi, Librazhdi dhe me një diferencë në numërim Përrenjasi. L. Lleshi

Probleme të vogla teknike

Qarku Berat vazhdon numri pa ndërprerje për bashkinë

BERAT- Procesi i numërimit të votave në të gjithë qarkun e Beratit ka ecur normalisht duke shënuar vetëm disa probleme të vogla teknike, ndërkohë që vijon ende në disa njësi vendore të këtij qarku. Mesnatën e datës 8 maj pas mbërritjes së bazës materiale nga 74 qendrat e votimit pranë KZAZ-së me numër 1 të Bashkisë së Beratit nisi procesi i numërimit të votave. Ky proces vazhdon normalisht deri në orën 21: 30 të mbrëmjes së datës 9 maj, ndërkohë që janë numëruar 34 qendra votimi, ndërkohë që mbeten për të numëruar ende kuti votimi. Procesi i numërimit të votave pranë kësaj KZAZ-je nuk është ndërprerë për asnjë moment dhe vazhdon ende dhe pse herë pas here ka pasur ritme tepër të ngadalshme të numërimit nga lodhja e komisionerëve. Grupet e numërimit të votave janë ndërruar një herë gjatë mesditës, ndërkohë që anëtarët e KZAZ-së nuk janë larguar për asnjë moment nga vendet e tyre. Deri në orën 21:30 nga numërimi i 34 kutive të votimit rezulton se kandidati i PS-së Fadil Nasufi ka marrë dhe numrin më të madh të votave përball rivalit të tij Ilir Decollit. Në Urën Vajgurore rreth orës 12:30 të ditës së djeshme komisionerët e kësaj qendre deklaruan përfundimin e procesit të votimit ku fitues ka dal kandidati i PS-së Adriatik Zotkaj. Zotkaj arriti të fitoj me 13 vota më shumë se kandidati PR-së dhe koalicionit të djathtë "Aleanca për qytetarin" Çaush Qato. Pranë KZAZ-së me numër 4 pasditen e sotme nisi procesi i votimit për Bashkinë e Çorovodës ku janë duke u numëruar momentalisht katër nga gjashtë kuti që ka kjo bashki. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se kandidati i LSI-së Nesim Spahiu ka marrë vota më shumë se kandidati tjetër i PS-së Rezart Hoxha. Në KZAZ- me numër 3 në Bashkinë e Kuçovës i vetmi problem është regjistruar gjatë paradites ku për dy orë është ndërprerë procesi i votimit, për shkak të një defekti teknik në aparaturat përcjellëse të informacioneve pranë KQZ-së. S. Gorrica

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›