E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Stop kthimit të shqiptarëve çamë në kufi me Greqinë”

28-06-2011 / Gazeta 55

Reagim i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut

Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut me anë të një deklarate i bëri thirrje policisë dhe autoriteteve greke që të marrin masa për ti dhënë fund akteve raciste të ndalimit të shtetasve çamë në kufirin mes dy vendeve.
Në deklaratën e GSHDNJ, thuhet se komuniteti çam në Shqipëri, në datën 25.06.2011 zhvilloi një ceremoni përkujtimore për masakrën ndaj popullsisë së saj të pafajshme, të kryer nga trupat e rregullta ushtarake greke të udhëhequra nga Napolon Zerva në vitin 1944. Nën thirrjen “Trëndafilat e Çamërisë” ceremonia veç të tjerave synoi të vazhdonte me vendosjen e kurorave me lule në përkujtim të masakrës e të rënëve.
Deputeti i PDIU-se, Dashamir Tahiri, i shoqëruar nga gazetarë dhe kreu i komunës Markat, Ismail Myrtaj  dhe nga disa persona të tjerë me origjinë çame në vazhdim të itinerarit të ceremonisë kanë kërkuan të kalonin pikën doganore të Qafe Botës për të hedhur lule në lumin Kallamat pranë një fshati në territorin grek ku ishin ekzekutuar shumë persona me origjine çame.
Deputeti Tahiri është ndaluar të kalojë pikën kufitare të Qafë- Botës në Sarandë dhe më vonë pas shumë debatesh është lejuar të kalojë pikën kufitare, ndërsa gazetarët dhe kreu i komunës Markat dhe gjithë personat e tjerë që e shoqëronin atë, nuk kanë mundur të kalojnë. Policia kufitare greke e ka justifikuar këtë veprim me argumentin se janë persona të cilët konsiderohen të rrezikshëm për rendin dhe qetësinë.
GSHDNJ duke u nisur nga ky veprim i autoriteteve kufitare greke çmon se këto të fundit kanë kryer veprime të qëllimshme dhe të paligjshme që cenojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë që brenda çdo norme ligjore dhe mbi një dokumentacion më se të rregullt kërkojnë të lëvizin brenda territorit të shtetit Grek.
GSHDNJ në monitorimet e vazhdueshme që ka realizuar në pikat kufitare greke ka konstatuar se është e disata herë kur këto autoritete mbajnë qëndrime diskriminuese ndaj qytetarëve shqiptare me origjinë çame pa asnjë kriter logjik apo ligjor. Është evidentuar gjithashtu se këto veprime janë aplikuar edhe ndaj personave që gëzojnë status të veçantë në Shqipëri si gjykatës prokurorë, gazetarë apo edhe deputetë.
Gjithashtu GSHDNJ i bën thirrje Ministrisë së Jashtme të RSH që të kërkojë sqarime nga autoritetet greke për këtë situatë duke mbajtur një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të interesave të shtetasve shqiptarë për të garantuar lirinë e lëvizjes në vendet e hapësirës “Schengen”.
GSHDNJ nga ana tjetër u kërkon autoriteteve greke që të mbajnë përgjegjësi dhe të reagojnë pozitivisht ndaj këtij veprimi në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten situata të ngjashme që do të cenonin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›