E Diel, 1 Nëntor 2026

Stop ultranacionalisteve Topi Nuk do ndikojne ne regjistrim

Presidenti Bamir Topi ka artikuluar prerazi dhe qartë se shteti shqiptar nuk do lejojë interferencat e asnjë individi ose qarqesh ultranacionaliste, në regjistrimin e popullsisë. Duke deklaruar respektim total të të gjithë minoriteteve, kryetari i shtetit në konferencën me homologun maqedonas Ivanov, theksoi se nuk do të lejohen presione nga vendet fqinje, për një të drejtë që i përket vetëm shtetasve të Shqipërisë.

"Nga apendikse të qarqeve ultranacionaliste. Pavarësisht se nga cili vend, nga cili shtet tentohet që të hidhen parulla, të  bëhet një politikë presioni dhe deformacioni të një procesi që duhet të jetë natyral dhe ligjor. Nuk do të lejojmë që asnjë ultranacionalistë të vijë dhe deformojë ligjin dhe tendencën natyrore dhe legjitime në Shqipëri. Ne dëshirojmë fqinjësi të mirë, është shumë e rëndësishme që politika shtetërore e vendeve tona, të rajonit të Ballkanit perëndimor shkon në këtë linjë. Cdo tendencë tjetër nuk është në kuadrin e këtyre marrëdhënieve", tha Bamir Topi, president i Shqipërisë.

Duke i iu referuar përplasjeve të para pak muajve mes shqiptarëve dhe maqedonasve për kalanë e Shkupit, presidenti Ivanov, fajësoi ultranacionalistët dhe jo zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

"Shkak nuk është Marrëveshja e Ohrit, pasi ajo është tashmë Kushtetutë. Por ende në hapësirat tona vihen re njerëz që bëjnë përpjekje të manipulojnë ndjenjat e të tjerëve. Ndjekim një tendencë të disa personave që mashtrojnë njerëzit mbi bazën e përkatësisë etnike. Dhe në këto kushte çdo çështje problematizohet. Çështja të tilla duhet t’i zgjidhin institucionet”, tha Ivanov.

Pak para konferencës u nënshkrua dhe një marrëveshje bashkëpunimi, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ivanov i cili ndodhet në Tiranë në një vizitë 2 ditore mbajti një fjalim dhe në Parlament.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›