“Drejt lirisë” konkurron në Gjilan
Nis sot në Gjilan Festivali Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe, i njohur me emrin Talia e Flakës 2010. marrin pjesë shfaqje nga Shkupi, Tirana, Prishtina, Gjilani, Ferizaj e Sarajeva. Festivali nis me shfaqjen “Kënga e Aktorit”, me regji të Muharrem Sylejmani, me motive nga veprat e shkrimtarëve si Qosja, Kadare, Migjeni. Teatri i Kombësive – Shkup konkurron me shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, bazuar mbi romanin e Ismail Kadaresë, me regji të regjisorit të njohur boshnjak, Dino Mustafiç. Nesër në “Flakën e Janarit” ngjitet në skenë Teatri i Qytetit i Ferizajt me shfaqjen “Nëntë Plagët e Gjergjezit”, me regji të Fadil Hysajt. Një ditë më pas, po me regji të Hysajt vjen shfaqja “Bodrumi” me trupën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Natën e katërt të festivalit, konkurron Teatri i Metropolit, Tiranë, me shfaqjen “Drejt Lirisë”, “One man show” me protagonist Erand Sojlin, me regji të Robert Budinës. Në natën e fundit do të jepet shfaqja e Teatrit të Gjilanit “Teatri në Pazar”, në regji të Muharrem Sylejmanit. Juria e festivalit përbëhet nga artistët Enver Petrovci, Yllka Mujo, Kushtrim Bekteshi, Arian Krasniqi e Burim Baftiu. Juria do të ndajë çmimet për shfaqjen më të mirë, tekstin më të mirë, regjinë më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, rolin episodik më të realizuar si dhe çmimin special për “arritje jetësore”, apo thënë ndryshe çmimin e karrierës, të cilin e ndan Teatri i Gjilanit.