Sulm nga minuta e parë, kështu thyhet Barcelona
Alegri: Dimë se si ndalen spanjollët, besoj te Nesta.
Barcelona zbarkon në Milano dhe trajneri i kuqezinjve, Masimiliano Alegri, gjatë konferencës së zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes, u shpjegon se si mposhten spanjollët. Alegri është i vetëdijshëm mbi vlerën e kundërshtarit që ka përballë, por nga ana tjetër pret që Milani i tij të jetë në lartësinë e duhur. “Na pret një ndeshje shumë e vështirë. Përballë kemi skuadrën më të fortë në botë, kështu që për ta mundur duhet të bëjmë një ndeshje perfekte. Besoj se Barcelona vendoset në vështirësi nëse e sulmon. Gjatë ndeshjes së ‘San Siro-s’ kundër katalanasve rrezikuam shumë në mbrojtje, por nesër (sonte) gabimet duhet t’i minimizojmë në maksimum. Po provojmë disa skema se si mund t’i ndalim spanjollët. Të shohim se çfarë do bëjmë”, ka theksuar Alegri. Më pas, trajneri i kuqezinjve ka folur edhe për Lionel Mesin dhe mungesën e Tiago Silvës. “Mesi ndalet nëse mbrojtësit tanë nuk gabojnë, dhe kanë kurajë të ndërhyjnë në momentin e duhur. Por për t’u kualifikuar duhet të shënojmë, si rrjedhojë do luajmë për fitore. Ne fituam edhe 4-0 ndaj Arsenalit, dhe për pak nuk u skualifikuam. Kështu që nuk besoj se ekziston ndonjë rezultat perfekt. Tiago Silva? Do na mungojë shumë, por Nesta është mirë dhe kam besim tek eksperienca e tij”, ka vazhduar Alegri. Ndërsa trajneri i Milanit ka theksuar se nuk do të imitojë Interin e dy viteve më parë, kur eliminoi Barcelonën. “Vështirë se mund të zhvillojmë një ndeshje si ajo e Interit në gjysmëfinale kundër Barcelonës. Milani është një skuadër ofensive, dhe nuk është aq e zonja sa Interi i Murinjos për të qëndruar në portë për 90 minuta. Ibra? “Është një djalë i jashtëzakonshëm, një profesionist i vërtetë, i cili vihet në shërbim të skuadrës çdo ditë. Ai me Boatengun do luajnë që nga fillimi. Për sa i përket sulmuesit tjetër, më duhet të vlerësoj gjendjen e Robinjos, por kam shumë besim edhe te Maksi Lopez dhe El Sharaui”, ka përfunduar trajneri i Milanit.
Ibra: Mesi, arsyeja që shoh futboll
“Nëse dikush i njeh defektet e Barcelonës, do i kishte mundur…” Kështu është shprehur Zlatan Ibrahimoviç për ndeshjen kundër katalanasve në “San Siro”: “Do jetë një ndeshje ndryshe nga ajo e fazës në grupe, por ne nuk mund të humbasim”. Ibra është gati të luajë edhe si portier, vetëm e vetëm për të skualifikuar skuadrën spanjolle: “Futbolli defensiv nuk më pëlqen, por nëse kështu mund të sigurojmë kualifikimin, jam gati të luaj edhe në portë”. Në përfundim, Ibra thur elozhe për Mesin: “Argjentinasi po e rrit nivelin e tij të lojës nga viti më vit. Shpresoj të vazhdoj kështu sa më gjatë, kështu që kur të lë futbollin të kënaqem duke e parë”, ka përfunduar sulmuesi suedez i kuqezinjve.Ironia e Pep: Do mbrohemi me 7 lojtarë
Trajneri i Barcelonës e ka marrë me sportivitet dhe batuta pragndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve ndaj Milanit. Në konferencën për shtyp, Guardiola ka lëshuar sinjale “lufte” që në fjalinë e parë: “Po, do mbrohemi me 7 lojtarë te porta me qëllim që të mos pësojmë gol” (qesh). Më tej, ai ka pohuar se është një ndeshje e vështirë, porse Barcelona do mundohet që minimalisht të mos humbasë në Milano. “Do jetë një ndeshje mjaft e vështirë, pasi Milani edhe në takimet në grup tregoi se kishte mundësi të na ndalte. E rëndësishme është që të mos humbasim”. Në fund, tekniku ka pohuar se do jetë e vështirë që të bëjë tripeltën e vitit të shkuar (kampionat, Kupë Kampionesh, Superkupë).
LEONARD KARAJ