E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia, Ministri i Punës zbardh rritjen e pagave dhe pensioneve për katër vjet



Jonida Tashi

Të njëjtin ritëm premtimesh, sikundër punësimi i sa më shumë të papunëve, ministri i Punës ka mbajtur edhe për rritjen e pagave dhe pensioneve në vend gjatë katërt viteve të ardhshme. Ditën e djeshme, nga maxhoranca qeverisëse e vendit tonë ka dalë një tjetër premtim për rritjen e pagave dhe pensioneve, veçse këtë herë deklarata është bërë nga Ministri i Punës, Spiro Ksera. Gjatë prezantimit të planit 4-vjeçar të dikasterit që Ksera do të udhëheq deri në vitin 2013, ka deklaruar se në sajë të politikave që do të ndiqen nga Ministria e Punës do të mund të ndihmohet në realizimin e premtimeve të qeverisë për rritjen e pensioneve. Në këtë mënyrë, ministri i Punës është zotuar të përmbushë një premtim jo pak të trumbetuar, sidomos para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nga Partia Demokratike, për pagat dhe pensionet. “Do të realizojmë përmirësime në projektbuxhetin afatmesëm dhe në projektbuxhetin 2010 për të mbështetur financiarisht objektivin e qeverisë që pensionet në qytet të rriten 10 për qind çdo vit, ndërsa pensionet e fshatit të rriten 15 për qind në vit. Rritja e pensioneve në vitin 2010 është parashikuar në masën 7 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin”,- deklaroi Ksera.
Pensionet
Reformimi i skemës aktuale të pensioneve me qëllim rritjen e numrit të përfituesve të saj është një tjetër objektiv që Ministria e Punës ka marrë përsipër të realizojë gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas programit të kësaj Ministrie, politikat e rritjes së pensioneve, si element i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm i mbrojtjes sociale, do të vazhdojnë me një ritëm mesatar rritje prej 10 për qind. Është parashikuar gjithashtu që në vitin 2012 e në vazhdim të ketë një rritje të numrit të pensionistëve me rreth 4 mijë persona në vit që lidhet me përfundimin e reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension. Përkrah rritjes së moshës së pensionit, do të rriten edhe të ardhurat kontributeve. Parashikohet që këto të ardhura të rriten mesatarisht me 12-15 për qind në vit, duke arritur që në vitin 2013 krahasuar me vitin 2009 të jenë rreth 50 për qind më të larta. Po ashtu, parashikohet që edhe shpenzimet të rriten mesatarisht 10 për qind, duke synuar që në vitin 2013 të jenë 35 për qind më të larta se në vitin 2009. Në këtë mënyrë, sipas ekspertëve, rritet aftësia vetëmbajtëse e skemës së sigurimeve shoqërore, duke ulur kështu edhe
Pagat
Paga minimale parashikohet të rritet çdo vit me ritme më të larta se rritja mesatare e pagave dhe se indeksi vjetor i inflacionit, duke synuar ngushtimin e diferencave midis pagave të larta dhe atyre të ulëta. Të paktën kështu është parashikuar në planin
4-vjeçarë të Ministrisë së Punës, për fushën e pagave. Ndërsa përsa i përket indeksimit të pagave, ekspertët e Ministrisë së Punës kanë parashikuar që ai të bëhet çdo vit në masën e indeksit vjetor të inflacionit dhe rritjet e pagave për sektorë të veçantë në zbatim të strategjive sektoriale përkatëse. Të gjitha këto parashikime duhet të çojnë në një pikë të përbashkët që pagat të rriten mesatarisht në masën 10 për qind për çdo vit. Për këtë arsye, Ministria e Punës do të përgatisë aktet ligjore për rritjen e pagës minimale dhe për indeksimin e pagave. Por përveç rritjes së rrogave buxhetore, Ministria e Punës ka parashikuar shtimin e masës së përfitimit edhe të pagesave sociale që përfitojnë personat me aftësi të kufizuar.

Pagat dhe pensionet, plani 4-vjeçar i Ministrisë së Punës

Politikat për sigurimet shoqërore dhe pagat
Vazhdimi i përpunimit të Dokumentit të Strategjisë së Sigurimeve Shoqërore për periudhën deri në vitin 2075. Zhvillimi bashkëkohor i skemës së sigurimeve shoqërore të detyrueshme dhe kombinimi i qëndrueshmërisë financiare të tyre në kuadrin e një sistemi shumëkolonësh, nëpërmjet: garantimit të mbulimit sa më të plotë të popullsisë së vendit me elemente të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të mbajtura në nivele të pranueshme; intensifikimit të përpjekjeve për forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë financiare të skemës së sigurimeve shoqërore, duke synuar rritjen graduale por më të shpejtë të kontributeve në krahasim me rritjen e përfitimeve si dhe duke minimizuar subvencionet buxhetore; përgatitjes së sistemit për të kaluar drejt një sistemi shumështyllësh nëpërmjet: forcimit dhe reformimit të skemës aktuale, nxitjes dhe zhvillimit të fondeve private si kolona të treta të sistemit të përgjithshëm të sigurimeve shoqërore për të siguruar një mbrojtje sociale më efikase për moshat e treta.

Rritja e masës së përfitimeve nga sigurimet shoqërore
Do të realizohen përmirësime në projektbuxhetin afatmesëm dhe në projektbuxhetin e vitit 2010, që pensionet e qytetit të rriten 10 për qind çdo vit, ndërsa pensionet e fshatit të rriten 15 për qind në vit. Mbështetur edhe në parashikimet e projektbuxhetit afatmesëm 2010-2012, rritja e pensioneve për vitin 2010 është parashikuar në masën 7 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin. Rritjet e pensioneve për vitet në vazhdim 2011, 2012 e 2013 janë parashikuar të jenë në masën 6 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin. Do të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin, duke realizuar objektivin për përafrimin e skemës së pensioneve të qytetit me atë të fshatit. Gjithashtu, megjithëse kontributet e fermerëve do të vazhdojnë të rriten, njëkohësisht do të vazhdojë edhe subvencioni nga buxheti i shtetit për kontributet që paguajnë fermerët me synimin që për ata që do të dalin në pension në vitin 2013 do të kenë kushte të njëjta me pensionistët e qytetit.

Përgatitja e akteve ligjore dhe nënligjore për rritjen e përfitimeve
Për rritjen e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare në qytet me 10 për qind në vit.
Për rritjen e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare në fshat me 15 për qind në vit.
Për përfitimet nga trajtime të veçanta me rreth 10 për qind në vit.

Përqindja e rritjes së pagave dhe indeksimi i tyre

Paga minimale parashikohet të rritet çdo vit me ritme më të larta se rritja mesatare e pagave dhe se indeksi vjetor i inflacionit, duke synuar ngushtimin e diferencave midis pagave të larta dhe atyre të ulëta. Indeksimi i pagave parashikohet të bëhet çdo vit në masën e indeksit vjetor të inflacionit dhe rritjet e pagave për sektorë të veçantë në zbatim të strategjive sektoriale përkatëse, duke i rritur mesatarisht 10 për qind në vit. Përgatitja e akteve ligjore për rritjen e pagës minimale dhe për indeksimin e pagave. Bashkëpunimi me partnerët social për zbatimin e Kodit të Punës dhe legjislacionit të pagave. Mbështetja teknike e partnerëve social për zbatimin e parimit të barazisë në pagë e shpërblim etj. Bashkëpunimi me institucionet e tjera për përgatitjen e akteve ligjore në fushën e pagave dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›