E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Vasili: ”Pacientët të bëjnë pagesa zyrtare dhe jo ryshfete te mjekët”



Emanuela Sako

Pacientët duhet të ndjekin rregullat e vendosura në spitale dhe njëkohësisht të mos u japin ryshfete mjekëve. Në një vizitë në Maternitetin “Koço Gliozheni”, Ministri u Shëndetësisë, Petrit Vasili, u shpreh se tashmë ka ardhur koha që pacientët duhet të bëjnë pagesa zyrtare dhe jo t’u japin para mjekëve. Sipas deklaratës së Ministrit Vasili, pacientët duhet të paguajnë faturat e vizitave dhe vetëm koston e analizës apo vizitës së kryer. Në këtë mënyrë, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga aktet korruptive dhe të mos krijojnë mundësi të zhvillimit të korrupsionit në Shëndetësi. “Korrupsioni në shëndetësi duhet luftuar me çdo mjet. Ne nuk duhet të lejojmë kaos në spitale. Qytetarët duhet të bëjnë pagesë zyrtare dhe jo të japin ryshfete”, - u shpreh Vasili. Vizita e ministrit përkon me rastin e arrestimit të 5 pjesëtarëve të stafit mjekësor në këtë maternitet, të cilët u denoncuan nga pacientët për mitmarrje.
Mbipopullimi
Ministri u është drejtuar qytetarëve që të ndjekin rregullat e vendosura nga MSH-ja për ta, në mënyrë që të shmangen aktet korruptive dhe të marrin shërbim më cilësor. Ai u ka kërkuar që të ndjekin rregullat për kryerjen e vizitave te mjeku i familjes dhe më pas tek specialistët në spitalet e mëdha. Sipas tij, kjo rregullore duhet të ndiqet në mënyrë që të shmanget mbipopullimi në spitale, si dhe zhvillimi i korrupsionit. Nëse në spitale ka mbipopullim, atëherë do të lindë nevoja që pacientët të kërkojnë të futen pa radhë për të mbaruar punë sa më shpejt, njëkohësisht do të kërkojnë nga mjekët vizita në kohë më të shpejtë, të cilat lënë vend për korrupsion. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë kërkon zbatimin e rregullores për sistemin e referimit.
Situata
MSH-ja, pak ditë më parë deklaroi se një fushatë e tillë, penalizimesh për bluzat e bardha, do të vazhdojë deri në eliminimin e korrupsionit në shëndetësi. Kjo është një ndër reformat që Ministria synon të çojë deri në fund për shmangien e korrupsionit, duke u bërë apel të gjithë qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet korruptive me të cilat përballen në spitale. “Ministria e Shëndetësisë dënon aktin e mjekëve në maternitetin “Koço Gliozheni”, nën akuzën për korrupsion dhe gjendet në krahë të të gjithë pacientëve që kanë kurajën qytetare për të denoncuar fenomene të korrupsionit në sistemin tonë shëndetësor”,- deklaroi zëdhënësja e MSH-së.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›