E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e PS: Në bazë për të treguar manipulimet

Partia Socialiste do të nisë shumë shpejt një tur të gjerë në të gjithë vendin për t‘u shpjeguar të gjithë shqiptarëve manipulimet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në kuadër të qëndrimit për të vlerësuar rezultatin e 28 qershorit si të papranueshëm, PS-ja ka marrë përsipër që t‘i shpjegojë elektoratit të vet dhe më gjerë, të gjitha parregullsitë e zgjedhjeve që kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar. Sipas paralajmërimeve të drejtuesve të selisë rozë, janë hedhur në letër pikat ku do të fokusohet strategjia e të bërit opozitë me nisjen e legjislaturës së re. Referuar çështjes së zgjedhjeve në Parlament, do të kërkohet hetimi i zgjedhjeve, ndërsa kreu i PS-së është shprehur për efektivitetin e plotë të grupit parlamentar socialist. Sa i përket bazës, drejtuesit e PS-së do të rikthehen sërish për të shpjeguar se çfarë ndodhi me zgjedhjet e 28 qershorit.
Ky tur, do të krijojë një rrugë komunikimi mes partisë dhe elektoratit, si dhe do të shërbejë për të zhvilluar protesta demokratike kundër një Parlamenti dhe qeverie ilegjitime. "Do të shkojmë menjëherë, apo do të kthehemi menjëherë te shqiptarët e shqiptaret në të gjithë territorin dhe do të ndërtojmë një proces komunikimi intensiv, që do të përkthehet edhe në shfaqje demokratike të protestës për një rezultat të papranueshëm. Shqiptarët nuk mund të pranojnë kokulur një Parlament dhe një qeveri që nuk ka lindur nga shprehja e lirë dhe numërimi i ndershëm i vullnetit të tyre përmes votës. Sigurisht që kjo është një rrugë të cilën do ta përshkojmë me durim, por me një vendosmëri të palëkundur", është shprehur disa ditë më parë. Sa i përket betejës në Parlament, PS-ja ka përforcuar idenë e krijimit të një komisioni hetimor parlamentar, por duket se hetimi nuk mbaron këtu. Zyrtarë të PS-së kanë paralajmëruar që mund të ketë edhe kallëzime penale për raste flagrante ku është vënë re se si është deformuar vota. Një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet është ngritur edhe pas zgjedhjeve të 3 korrikut në vitin 2005, ndërsa ky hap është konfirmuar më parë edhe nga kreu socialist, Edi Rama. "Së pari, komisioni hetimor parlamentar për transparencën e 28 qershorit apo për të zbardhur atë që ne e quajmë vendosmërisht krimi elektoral i 28 qershorit, është një nga instrumentet dhe ne do ta vëmë atë menjëherë në lëvizje, duke bërë gjithë përpjekjen tonë që t‘i shkojmë deri në fund procesit të hetimit parlamentar. Por nuk është i vetmi instrument", ka vënë në dukje Rama. Çështja e zgjedhjeve mbetet një ndër pikat kryesore, në momentin kur ato, sipas PS-së, nuk i kanë përmbushur standardet. Pjesë tjetër e betejës, e sidomos ajo parlamentare janë denoncime të aferave korruptive apo skandaleve, ku sipas socialistëve është përfshirë kabineti qeveritar i Sali Berishës.
Një tjetër çështje është ajo e reformave. PS-ja duket se mbetet e vendosur që të mos u japë konsensus reformave të propozuara nga qeveria, përderisa Parlamenti dhe ekzekutivi janë pjesë e një rezultati zgjedhor të manipuluar. Për këtë çështje, Kryeministri Berisha është shprehur se do të kërkojë ndihmën e PS-së, por kreu socialist ka refuzuar t‘i japë konsensus, përderisa bëhet fjalë për vota të vjedhura.
Legjislatura e re pritet t‘i nisë punimet javën e parë të muajit shtator dhe pritet të ketë betejë të fortë mes dy palëve, në një kohë kur janë pak mandate që i ndajnë grupet parlamentare. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe reformat në drejtësi duket se do të jenë çështjet e nxehta të sesionit të ardhshëm parlamentar.

Rezoluta

Rezultati i zgjedhjeve, i papranueshëm

Më 28 korrik, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste miratoi një rezolutë, e cila më pas do t‘i paraqitet Kongresit të Jashtëzakonshëm. Kjo rezolutë i konsideron zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit se nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare dhe bën përgjegjës Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për "deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor". Në pikën e dytë të rezolutës, thuhet se rezultati i zgjedhjeve është "i papranueshëm dhe shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit". Në pikën e tretë të rezolutës thuhet se çdo produkt i këtyre zgjedhjeve është me legjitimitet të cunguar dhe zgjedhjet e parakohshme janë objektiv i imponuar për t‘i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat legjitim qeverisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›