Qëndrimi, PS në pritje të raportit të OSBE-ODIHR
Partia Socialiste është në pritje të raportit të dy misioneve monitoruese të zgjedhjeve OSBE-ODIHR për të nisur nga aksioni i saj politik. Pas publikimit të këtij raporti, që pritet të publikohet javën e fundit të muajit gusht, do të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm, i cili do përcaktojë përfundimisht qëndrimet e mëtejshme të selisë rozë. Sakaq, PS-ja ka punuar për të përmbledhur në një material voluminoz të gjitha shkeljet që janë vënë re, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por edhe gjatë fushatës dhe pas tyre. Sipas sekretares për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, dosja me shqetësimet u është dërguar ambasadave të huaja. "Partia Socialiste, ashtu sikurse ka vepruar në vazhdimësi në të gjitha veprimet e saja politike, ka vënë në dispozicion të partnerëve tanë ndërkombëtarë një material, i cili shpreh të gjitha parregullsitë të konstatuara nga përfaqësuesit tanë para fushatës elektorale, gjatë fushatës elektorale, ditën e votimit dhe mbas votimit, pra përkatësisht në kohën që numëroheshin votat", tha Dade. Ajo vuri në dukje se PS-ja po pret raportin përfundimtar të OSBE-ODHIR-it, për të pasur më në konsideratë atë çka ata do të shprehin, por gjithsesi edhe për të artikuluar veprimin e saj politik. "Unë kam qenë këto ditë në takime me përfaqësues të trupit diplomatik dhe sigurisht materiali që ne u kemi vënë atyre në dispozicion është duke e studiuar, njëkohësisht materiali është dërguar te të gjithë partnerët edhe parlamentet, sikurse është Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e NATO-s, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, përfshi këtu edhe partnerët tanë të grupimeve socialiste dhe socialdemokrate, brenda këtyre organizmave", deklaroi Dade.