E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e socialisteve “Barak Obama” për fitore

Nga Darina Tanushi
PS “kopjon” strategjinë e Presidentin të ri të SHBA, Barak Obama për të kontaktuar me zgjedhësit. "ǒmendojnë për politikën e PS-së dhe të Edi Ramës”? , eshte nje nder pyetjet qe do tu behen zgjedhseve 

TIRANE-Socialistët “kopjojnë” strategjinë e Presidentin të ri të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama për të kontaktuar me zgjedhësit. Krahas strukturave partiake, të cilat kanë kohë që janë shpërndarë në bazë për të identifikuar zgjedhësit, PS-ja ka afruar edhe vullnetarë, të cilët janë duke u trajnuar dhe në një fazë të dytë do të jenë ata që do të dalin derë më derë për të thithur prej zgjedhësve mendimet për PS-në, dhe ndoshta për t’i bindur të lëkundurit që të votojnë për të. Ka kohë që puna ka filluar nga strukturat socialiste. Të zgjedhurit vendorë janë pothuaj në fund të fazës së parë. Ata prej muajsh kanë pasur në duar listat e vjetra të zgjedhësve dhe përveç tyre, edhe një pyetësor. Nga kontaktet e drejtpërdrejta ata i kanë pyetur me radhë banorët, sipas zonave, se çfarë mendojnë për qeverisjen aktuale. Një pyetje tjetër që u është drejtuar zgjedhësve është edhe ajo se, “Ç’mendojnë për politikën e PS-së dhe të Edi Ramës”? Zgjedhësit janë pyetur nëse do të votojnë për të majtën dhe PS-në, apo për PD-në. Nga ky testim në shumicën e zonave të vendit janë marrë tashmë përgjigjet dhe pritet që në fund të muajit dhjetor, strukturat e larta të PS-së të kenë të qartë edhe një shifër të mbështetjes që gëzojnë në popull. Menjëherë pas kësaj strategjie, PS-ja do të përcaktojë targetin e saj, që këtë herë do të jenë zgjedhësit e lëkundur, ashtu siç në fakt kanë qenë në çdo fushatë zgjedhore. Me këtë pjesë do të punohet në fazën e dytë parazgjedhore, jo vetëm nga drejtuesit socialistë vendorë, por edhe nga vullnetarët, që janë duke u trajnuar këto ditë të para të dhjetorit sipas rretheve prej nga ata janë. Aktualisht, ende nuk ka shifra të përqindjes së zgjedhësve që kanë shprehur votën për PS-në apo për PD-në. Rezultatet përfundimtare të fazës së parë të evidentimit, ndoshta priten në fillim të vitit të ri. Gjithçka rreth strategjisë së ndjekur deri më tani nga strukturat socialiste është parashikuar që në muajin shtator të këtij viti. Në materialin e përgatitur nga sekretariati për çështjet elektorale parashikohej edhe ndërtimin i sistemit të patronazhit. Sistemi i patronazhit nënkupton që çdo anëtar i Partisë Socialiste, në çdo organizatë që mbulon një qendër votimi, bëhet përgjegjës për një territor gjeografik të qendrës së votimit, pra dhe të zgjedhësve që i përkasin këtij territori. Të jesh përgjegjës për një numër zgjedhësish që i përkasin një qendre votimi, do të thotë që të realizosh identifikimin e mënyrës se si ata votojnë, të punosh me mbështetësit për t’i bërë pjesë aktive të fushatës së PS-së; të punosh me të lëkundurit dhe abstenuesit për t’i bindur që të votojnë për Partinë Socialiste; dhe ditën e zgjedhjeve të “nxjerrësh nga shtëpia” për të votuar ata zgjedhës nën përgjegjësinë tënde, që janë të sigurt se votojnë për Partinë Socialiste.

(d/b.GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›