E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia për veriun, opozita kosovare skeptike për zbatimin

Opozita kosovare,është skeptike për zbatimin e strategjisë për veriun. Ndonëse Qeveria e Kosovës, ka bërë disa hapa për zbatimin e kësaj strategjie duke emëruar Ylber Hysën si koordinator për mbikëqyrjen këtij procesi,përfaqësues të partive opozitare,kanë kritikuar pozitën se po merr vendime pa u konsultuar me Parlamentin e Kosovës.

"Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë si parti kemi kërkuar implementimin e një strategjie të tillë. Tani ne e dijmë se ka shumë pikëpyetje në këtë strategji që tani po qarkullon, shpresojmë që të ndihmojmë dhe si subjekt politik të jemi konstruktiv në sensin që ta mbështesim të paktën nga pozicioni i Parlamentit, çfarëdo zgjidhje që mund të vij për veriun. Kemi dilema tona, dhe mendojmë se ka shumë të panjohura", tha Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.

"Nuk është me rëndësi se kush do të jetë në krye të asaj strategjie. Megjithatë, tash më qeveria ka vendosur që të jetë Ylber Hysa, një njeri i cili konsideroj ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në vend, megjithatë suksesi i implementimit të kësaj strategjie do të varet nga mekanizmat dhe bashkëpunimi në mes të akterëve të cilët parashihen brenda strategjisë. Për fat të keq ne nuk e kemi parë këtë strategji dhe nuk e dimë se cilat institucione do të jenë të involvuara", thote Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të AKR-së.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi nuk ka dhënë hollësi për kohën e fillimit të zbatimit të strategjisë për veriun. "Unë besoj që zoti Hysa do të filloj ta kryej punën e vet, i cili është i ngarkuari i kryeministrit për këtë çështje. Po ashtu besoj që në koordinim me kryeministrin, anëtarët e qeverisë dhe të ICO-së, do ti marrim hapat e më tejmë të cilët do të jenë konkret për implementimin e strategjisë", tha Kuci.

Emërimin e Ylber Hysës si koordinator i Qeverisë së Kosovës e ka mirëpritur edhe zyra civile ndërkombëtare në Kosovë duke vlerësuar se përvoja e Hysaj-t në negociatat ndërkombëtare në punën me komunitetet, veçanërisht ajo në sektorin e organizatave të shoqërisë civile,do të jetë një ndihmë e madhe dhe e rëndësishme për ushtrimin e detyrës së tij të re.

Shkëlzen Osmani < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›