Arsenali, zbulohen 83 mijë fishekë në Çorovodë
Një sasi prej 83 mijë fishekësh automatiku është zbuluar në Çorovodë. Pasditen e ditës së djeshme në një nga depot e qytetit është gjetur një arsenal i tërë fishekësh. Nuk dihet se si kanë përfunduar këto municione në atë objekt. Sipas burimeve të policisë, kanë qenë barinjtë e zonës, të cilët kanë njoftuar në komisariat për sasinë e fishekëve që ndodheshin në objektin e braktisur. Menjëherë pas marrjes së formacionit, në vendngjarje ka mbërritur policia dhe ekspertët e armatimit, të cilët më pas kanë bërë bllokimin dhe sekuestrimin e sasisë së fishekëve. Sipas informacioneve, kanë qenë rreth 90 arka me fishekë model 56 automatiku të prodhimit kinez. Nuk dihet ende se sa kohë kanë arkat me fishekë në këtë objekt, por sipas barinjve, ato tashmë kanë rënë në sy dhe pse në atë zonë ata pothuajse kullosin bagëtitë e tyre përditë. Sipas burimeve të policisë, armatimi i përket municioneve të grabitura nga depot që në vitin ‘97.