Vlorë, arrestohen tre “pronarët” e 115 kg kanabis sativa
Policia e Vlorës ka arrestuar tre persona, të cilët janë përgjegjës për 115 kg hashash të kapur një javë më parë në një gomone në brigjet e Vlorës. Antidroga e Drejtorisë së Përgjithshme të Krimit të Organizuar e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda mundën të arrestojnë pas disa ditë kërkimesh 3 shtetasit Aranit Bida, Blerim Beqiraj, Avni Vrami. Ata tentuan të çonin drejt Italisë 115 kg hashash. Kjo sasi droge u bllokua disa ditë më parë në bregun shqiptar të detit Jon. Operacioni u krye nga Policia Kufitare e qarkut të Vlorës, e cila zhvilloi gjatë natës deri në të gdhirë të datës 11 tetor një operacion antitrafik. Para disa ditësh u bllokua një lundrues, tip gomone në hapësirën detare, në jugperëndim të gadishullit të Karaburunit. Personat që ndodheshin në të, mundën t’i largohen me shpejtësi policisë, duke lënë pas plot 115 kg kanabis sativa. Vetëm pas hetimeve të bëra gjatë javës nga policia u arrit të vihen ditën e djeshme në pranga të tre këta persona.