E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi; Prokurori s’legjitimon si mbrojtës të Fazlliç dy amerikanët

Dy avokatët amerikanë të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, Andrew Corcoron dhe Edward Ross, të shoqëruar nga avokati shqiptar i tij, Genc Gjokutaj, kontaktuan dje për herë të parë direkt me prokurorët që janë duke hetuar klientin e tyre. Dy mbrojtësit ligjorë, të shoqëruar nga kolegu i tyre shqiptar janë shfaqur në ambientet e Prokurorisë së Tiranës rreth orës 13:10, por kur kanë parë numrin e madh të mediave të pranishme, nuk kanë qëndruar dhe janë larguar për 10 minuta nga Prokuroria me makinë, për t’u rikthyer sërish me shpresë se nuk do gjenin gazetarët e instaluar prej disa orësh aty. Ndonëse ishte folur për një konferencë shtypi për median nga avokatët e Fazlliç, as kur mbërritën dhe as kur përfunduan takimin me njërin nga prokurorët e çështjes, ata nuk kanë preferuar të japin ndonjë koment për gazetarët e pranishëm në ambientet e prokurorisë. Tre avokatët kanë kërkuar të njihen me akuzat që janë ngritur ndaj klientit të tyre. Ata janë pritur për rreth 30 minuta nga njëri prej prokurorëve të çështjes, Dritan Rreshka, të cilit i kanë dorëzuar prokurën e përfaqësimit të lëshuar nga klienti i tyre, Fazlliç, duke kërkuar legjitimimin si mbrojtës ligjorë të tij. Por, një gjë e tillë nuk u pranua nga prokurori Rreshka, përveçse për avokatin shqiptar Gjokutaj, pasi janë avokatë të huaj dhe legjislacioni shqiptar nuk e lejon mbrojtjen me avokatë të huaj. Në përfundim të takimit disaminutësh, tre avokatët mbrojtës së biznesmenit Fazlliç nuk kanë preferuar të komentojnë praninë e tyre në Prokurorinë e Tiranës, duke u larguar menjëherë nga këto ambiente dhe shmangur kontaktin me median e pranishme qysh në momentet e para të mbërritjes së tyre. Ata u larguan sërish me makinë X5, ngjyrë gri me të me targa të huaja HAL TP 293. Nga burime të besueshme mësohet se në bazë të legjislacionit shqiptar, dy avokatët e mbërritur nga Amerika për të mbrojtur interesat e Fazlliç, i akuzuar për “pastrim parash” nga organi i akuzës, nuk mund ta mbrojnë klientin e tyre nëse nuk janë të regjistruar në Dhomën Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri. Megjithatë, në grupin e avokatëve ndodhet edhe një avokat shqiptar, Genc Gjokutaj, i cili është pajisur nga biznesmeni serbo-boshnjak me një prokurë të posaçme për të mbrojtur interesat e tij lidhur me akuzën që i është ngritur nga prokurorët e strukturës Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, Dritan Rreshka dhe Besnik Cani. Hetimet për biznesmenin Fazlliç kanë nisur dy javë më parë nga njësia Task-Forcë, ndërkohë që kanë vënë nën sekuestro konservative kompanitë e serbo-boshnjakut që jeton dhe drejton kompanitë e tij në Ballkan e SHBA nga Londra.

Përmbarimi

Bylykbashi: Nuk kemi vendim gjykate për verifikim të pronave të Fazlliç

Gjykata e Tiranës nuk ka marrë ende vendim për vënien nën sekuestro të pronave të biznesmenit Damir Fazlliç, ndërkohë që nga organi i akuzës janë vënë nën sekuestro disa kompani të këtij shtetasi. Një fakt i tillë nuk pohohet nga burime zyrtare në gjykatë, por as nga Përmbarimi i kryeqytetit, i cili është organi që verifikon për llogari të Prokurorisë me vendim gjykate se çfarë pronash disponon ky shtetas apo llogari bankare në vendin tonë, me qëllim vënien nën sekuestro. Burime zyrtare nga Përmbarimi pohojnë për gazetën “standard” se në drejtorinë e tyre nuk ka mbërritur asnjë vendim gjykate që t’u kërkojë atyre verifikimin e pronave të shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Sipas drejtorit Arian Bylykbashi, të paktën deri ditën e djeshme në drejtorinë që drejton nuk ka mbërritur asnjë vendim gjykate për verifikim pronash për shtetasin Fazlliç. Sipas tij, verifikimi për pronat e tij në Hipotekë apo institucione të tjera bëhet vetëm nga Përmbarimi që ekzekuton çdo vendim gjykate. Në Përmbarim ende nuk ka mbërritur një vendim i tillë nga Gjykata e Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›