Basha: Tetë projektet e rëndësishme për minibashkinë nr.10
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vijuar konsultimin për projektbuxhetin e vitit 2012, me banorët e Njësisë bashkiake nr.10
Tetë projekte të rëndësishme të infrastrukturës rrugore të Njësisë bashkiake nr.10 do të mbështeten nga buxheti Bashkisë së Tiranës për vitin 2012. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka vijuar konsultimin për projektbuxhetin e vitit 2012, me banorë të Njësisë bashkiake nr.10. “Në Njësinë bashkiake nr.10, e cila është një njësi me vlera historike dhe ndër më të vjetrat e Tiranës, ne kemi parashikuar për vitin e ardhshëm 8 projekte, të cilat kanë të bëjnë me rrugët ‘Bogdani’, ‘Islam Alla’, ‘Mujo Ulqinaku’, ‘Him Kolli’ , ‘Gjon Muzaka’, ‘Mine Peza’, ‘Mihal Duri’ dhe ‘Hajdar Hidri’. Në projektbuxhet parashikohet rikonstruksioni i pjesshëm, shtesa anësore dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollën ‘Avni Rustemi’ dhe rikonstruksioni i plotë dhe shtesa e ambienteve në shkollën e mesme ‘Qemal Stafa’”, - theksoi kryebashkiaku në takimin me banorët. Po kështu, Basha i ka njohur banorët edhe me parashikimet e projektbuxhetit, për gjithë qytetin. Kreu i Bashkisë bëri të ditur se qyteti nuk do të trajtohet pjesë-pjesë, por si një i tërë, duke iu përmbajtur filozofisë që qyteti fillon në pragun e derës së çdo qytetari. Më konkretisht, për infrastrukturën rrugore, në tërë zonat e kryeqytetit, në buxhetin e vitit 2012 janë parashikuar: 100 ha rikualifikime urbane; ndërtimi i rreth 65 000 m2 rrugë; 33 000 m2 do të jenë rrugë tërësisht të reja; rikonstruksioni i rreth 153.000 m2 rrugë ekzistuese; rikonstruksioni i 79 000 m2 trotuareve; ndërtimi i dy urave; rehabilitimi i sinjalistikës së qytetit, horizontale dhe vertikale; korsitë e dedikuara etj.
Ndërkohë që edhe investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhet, ku është parashikuar: ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare; ndërtimi i 2 shkollave të reja të mesme; rikonstruksion i plotë i 8 shkollave; ndërtimi i 3 kopshteve dhe rikonstruksioni i 11 të tjerave; ndërtimi i 2 çerdheve të reja dhe rikonstruksioni i 5 të tjerave. Po kështu do të vijojë ofrimi i bonuseve financiare për nxënësit e shkëlqyer si dhe do të ofrohen shkolla verore për fëmijët.