Struktura e re, krimet ordinere kalojnë te Rendi
Ndryshimet strukturore të policisë nuk kanë përfunduar. Një tjetër ndryshim pritet që të realizohet brenda muajit maj, ku disa seksione dhe vepra penale pritet të kalojnë nga hetimi i krimeve te strukturat e rendit dhe sigurisë. Sipas të dhënave, janë pikërisht krimet ordinere, si dhe mbrojtja e të miturve dhe dhunës në familje, që do të kalojnë në të gjithë vendin në varësi të strukturave të rendit. Këto ndryshime do të bëhen deri në strukturat e larta të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që do të shoqërohen edhe me emërime të reja shefash seksionesh të ndryshme.
Burimet policore tregojnë se përgatitja e kësaj strukture të re ka nisur që prej gjashtë muajsh dhe tashmë është miratuar. Sipas të dhënave, ajo pritet të fillojë zbatimin pas qetësimit të situatës nga mitingjet dhe festat që kanë organizuar forcat politike. Kështu, duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të preken tre sektorë. Sipas të dhënave, sektori i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje do të kalojë në varësi të Drejtorisë së Rendit dhe do të bashkohet me policimin në komunitet. Ndërkaq, Hetimit të Krimit do t’i hiqen edhe disa vepra të lehta penale, që në numrin e përgjithshëm të tyre do të numërohen për llogari të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike.
Duke zbritur në nivel më të ulët, në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, do të ketë ndryshime më të mëdha. Fillimisht, këto ndryshime filluan me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku seksioni i Dhunës në Familje i kaloi Rendit, pasi ishte në varësi të Sektorit të Krimeve të Rënda. Gjithashtu, edhe krimet ordinere do të kalojnë në varësi të rendit, duke ndërtuar seksione të reja në këto struktura. Burimet policore shpjegojnë se këto struktura do të jenë grupime të reja brenda shërbimeve të policisë, ku do të ketë edhe emërime të tjera, si shefa seksioni, por edhe specialistë përkatës. Gjithashtu, një tjetër seksion që do kalojë në varësi të rendit, është ai i vjedhjeve. Deri tani, ky seksion është mbuluar nga hetimi i krimeve, por tashmë do të jetë në varësi të sektorëve të rendit.
Sipas të dhënave policore, kjo bëhet për arsye të bashkimit të disa lloj veprimtarish kriminale, që janë pothuajse të ngjashme. Ato, kryesisht do të ndiqen nga komisariatet, por do të ketë edhe seksione të reja në sektorët e rendit të çdo drejtorie policie në qarqe. Kjo të jep përshtypjen e rikthimit të strukturave të vjetra të policisë, duke rikthyer “shefat e krimeve” në komisariate. Ata nuk do të kenë emërtim të tillë, por që do të kenë detyra, pikërisht për ndjekjen e problematikave të tilla kriminale. Por, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të policisë, komisariatet mbetën vetëm në rolin e “magazinierit”, ku depozitoheshin kallëzimet penale, pasi ndiqeshin nga struktura të tjera. Në këtë aspekt u krijuan seksione dhe sektorë përkatës për të gjitha llojet e krimit, duke u ndarë që nga ato kundër pronave, apo edhe ato kundër personit. Të gjitha këto struktura u përqendruan në drejtoritë përkatëse të policisë dhe asnjë nëpër komisariate.
Fillimisht, ky projektpilot u zbatua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe u cilësua si i suksesshëm dhe më pas u shtri edhe në qarqet e tjera. Kështu mendohej se po realizohej puna e policisë derisa në krye të saj erdhi Hysni Burgaj, i cili u emërua drejtor i Përgjithshëm pas dorëheqjes së Ahmet Prençit. Që në ditët e para në krye të policisë, në një intervistë për gazetën e policisë, ai deklaroi se do ketë një rialokim të të gjitha forcave policore.
#