Mungojnë avokatët, shtyhet Gërdeci dhe Dritan Dajti
Shtyhet seanca e radhës e çështjes “Gërdeci”, e parashikuar për t’u zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Shkak për këtë shtyrje si në shumicën e rasteve është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Gjatë kësaj seance priteshin të jepeshin dëshmi të reja në lidhje me mënyrën e transportimit të municionit në Gërdec. 3 dëshmitarë të thirrur nga prokuroria, do të dëshmonin mbi njohuritë e tyre mbi këtë proces. Gjatë seancës së kaluar 4 ushtarakë deklaruan se ushtria nuk kishte bërë një grafik për transportimin e municioneve në Gërdec. Gjithashtu, ata pohuan vendin ku ishte ngritur fabrika e demontimit në Gërdec, në kartelat e regjistrimit nuk rezultonte si repart ushtarak, por si pronë ushtarake në ruajtje. Ndërkohë, seanca e radhës u vendos të zhvillohet të premten e ardhshme sërish në ora 9:30.
Ndërkohë, vazhdon edhe telenovela e procesit ndaj Dritan Dajtit. Seanca e radhës ndaj tij është shtyrë po ashtu për shkak të mungesës së avokates Valentina Teodoresku. Kjo e fundit, bazuar në njoftimin që i kishte bërë gjykatës, do shkonte jashtë shtetit për të kryer një vizitë mjekësore. Organi i akuzës i kërkoi trupit gjykues që të shtyhet seanca, si dhe të zëvendësohet avokati mbrojtës i Dajtit, pasi Valentina Teodoresku, sipas prokurorisë ka bërë disa mungesa të pajustifikueshme duke zvarritur procesin. Por, kjo kërkesë e prokurorisë u kundërshtua nga avokatët mbrojtës që ishin prezent në sallë dhe gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e akuzës, duke lënë kështu po të njëjtin avokat për të mbrojtur Dritan Dajtin.
#