Xhafaj: Emërimet në gjykata, shansi që Topi ta tregojë veten
Partia Socialiste insistoi dje te procesi transparent i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Në një komunikim me median, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste deklaroi se Presidenti Bamir Topi ka shansin e tij për të dëshmuar rolin që i takon. Xhafaj, sipas “Vizion +”, akuzoi edhe nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtarët e këtij institucioni për pazare politike dhe jo vetëm në emërimin e gjyqtarëve në shkallë të ndryshme të gjyqësorit, madje dhe në konflikt të hapur interesi. Akoma më kritik, sipas sekretarit të çështjeve ligjore në selinë rozë, është promovimi që KLD po përgatit për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor në mbledhjen e së hënës. Sipas Xhafës, ky do të ishte shpërblimi i shtetit për ta, pasi shkelën ligjin, duke mos vendosur rinumërimin e votave në qarqet e kërkuara. Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë vijojnë të konsiderohen nga socialistët moment jetik për funksionimin e institucioneve demokratike në vend. Për opozitën, është i domosdoshëm zëvendësimi me shumicë të cilësuar i anëtarëve, çka mund të arrihet në dy rrugë. Presidentit të Republikës socialistët i kërkuan transparencë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, duke risjellë në vëmendje kriterin e integritetit moral dhe profesional, që duhet të kenë anëtarët, në mënyrë që t’i votojë edhe opozita. “Për sa i përket vendimmarrjes, është e vërtetë që ne kemi artikuluar votimin me shumicë të cilësuar që do ta bënte edhe opozitën më efektive në këtë proces. Por ky nuk ka qenë një propozim i yni, ka qenë një propozim i partnerëve, të cilët e kanë artikuluar këtë dhe publikisht”, u shpreh Xhafaj. I pyetur për pjesëmarrjen në votimin e Kuvendit ai tha se “nëse do të jetë një proces që ka këtë besueshmëri dhe këtë qëllim të mirë absolutisht pse jo. Sepse është përcaktuese jo për sot, por për të nesërmen e demokracisë kushtetuese”. Sekretari për çështjet ligjore në PS rendit edhe kriteret që duhet të përmbushin emrat e rinj që duhet të përzgjidhen prej kreut të shtetit. “Ai që është i rëndësishëm si bazë, është integriteti moral dhe së dyti, që shkon në të njëjtën rëndësi, është aftësia profesionale e gjyqtarit. A ka mundësi për ta bërë këtë? Absolutisht po, nëse realizohet një proces sa më i mirë dhe transparent përzgjedhjeje”, u shpreh Xhafaj.
#