Dënohet shqiptari në Itali, se puthi në ballë një vajzë 13 vjeçe
Dhjetë muaj burg për një shqiptar 49-vjeçar, sepse kishte puthur një vajzë 13 vjeçe në ballë. Kjo ngjarje është kualifikuar nga togat e zeza italiane si ngacmim seksual dhe kryerje veprash të turpshme me të mitur, ndaj burrit shqiptar S. G., emigrant i rregullt, ka marrë nga Gjykata e Savonas në Itali, dënimin që do ta lërë në qeli për dhjetë muajt e ardhshëm të jetës së tij. Gjyqtarja e çështjes, Donatela Asçero, ka pranuar se 49-vjeçari S. G., thjesht ka puthur në ballë vogëlushen 13-vjeçare, kurse prokuroria ka shtuar se veç puthjes, i pandehuri i ka ledhatuar edhe flokët. Bazuar në hetimin e prokurorisë, sinjalet për këtë ngjarje erdhën nga dy gra, shtetase italiane, të cilat treguan se korrikun e vitit 2009, S. G., ishte parë duke “abuzuar” me të miturën në lokalitetin Villapiana të Savonas. Dy gratë dëshmuan se 49-vjeçari shqiptar i ishte afruar vajzës 13 vjeçe që kishte nxjerrë qenin jashtë dhe e kishte puthur në ballë, njëkohësisht i kishte ledhatuar flokët me duar. Gratë fqinje kanë deklaruar se ishin trembur nga skena që panë dhe njoftuan policinë, e cila i vuri prangat të dyshuarit që u shtang nga episodi me të cilin u përball.
#