E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i pakujdesshëm, procedohet pronari i Rruga-Ura

Elbasan

Për pak sa nuk ka përfunduar me pasoja të rënda një shpërthim me eksploziv nga ana e specialistëve të sh.a. “Rruga-Ura” në rrethin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në guroren e fshatit Letan, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit, pikërisht aty ku ndërmarrja në fjalë prodhon inertet për rikonstruksionin e rrugëve. Sipas burimeve zyrtare, bëhet e ditur se ka filluar procedimi penal për pronarin e firmës “Sh.a. Rruga-Ura”, 49-vjeçarin, K. Hasa, banues në Tiranë, pronar i firmës” Sh.a. Rruga-Ura-Asfaltim Nr. 2, si dhe ndaj V. Mitre, 58 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë, drejtues teknik i kësaj firme. Sipas burimit në fjalë, procedimi ndaj tyre filloi pasi, në guroren pranë fshatit Letan, Komuna Bradashesh, si pasojë e plasjes me amonit malor, në interes të firmës, është dëmtuar një kabinë elektrike bashkë me transformatorin, 2 shtylla tensioni elektrik të mesëm, si dhe janë konstatuar dëmtime të xhamave të godinës së rezervave shtetërore e plasaritje të lehta të suvasë në ambientet e katër banesave në këtë fshat. Ndërkohë, burime nga firma “Rruga-Ura” bëjnë të ditur se drejtuesit e saj janë të gatshëm të zhdëmtojnë gjithçka që është prishur si dhe të dëmshpërblejnë, të paktën katër familje, shtëpitë e të cilave janë dëmtuar lehtë. Megjithatë, materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Grupi hetimor ende nuk ka konkluduar për shkaqet e këtij aksidenti, si dhe pritet të përllogaritet vlera financiare e dëmeve të shkaktuara.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›