Ndërtuesit: Çmimet e larta të banesave, peng i lejeve të ndërtimit
Problemet me lejet e ndërtimit në kryeqytet do të vijojnë të mbajnë lart çmimet e apartamenteve edhe këtë vit. Çmimet e larta të shtëpive kanë qenë një ndër problemet kryesore të bllokimit të shitjes së apartamenteve. Ndërtuesit përjashtojnë mundësinë e uljes së çmimeve dhe argumenti kryesor është oferta e kufizuar për shkak të lejeve të cunguara për ndërtim në Tiranë. Sipas kreut të Shoqatës së Ndërtuesve Maks Muçi, çmimet e larta të apartamenteve,
vijnë për shkak të nderimeve të pakta që janë bërë, ku një problem është mungesa e lejeve të ndërtimit. Ndërsa jashtë Tiranës, ndërtuesit po tregohen më elastikë duke shitur me çmime disi më të ulëta se më parë. Në Durrës dhe në Vlorë ka ndërtues që kanë ulur çmimet, u shpreh Muçi. Ndonëse kërkesa për apartamente sa vjen e rritet, Shoqata e Ndërtuesve konstaton rënie të shitjeve me rreth 50 për qind në harkun kohor të një viti. Muçi thekson se çmimet e larta dhe mungesa e financimit janë arsyet kryesore të krizës së biznesit të ndërtimit. Ndërsa thekson se një tjetër problem është dhe mungesa e kreditimit nga ana e bankave, të cilat nuk e favorizojnë më këtë biznes. Një tjetër arsye janë bërë edhe interesat e lata të kredive që janë duke aplikuar bankat që prej tetorit të vitit 2008, të cilat mbajnë larg klientët për marrjen e kredive për blerjen e shtëpive. Gjithashtu Muçi thekson se një tjetër arsye madhore janë bërë edhe borxhet e qeverisë, e cila ju detyrohet 68 milionë euro shoqatave të ndërtimit në vend. Ndërsa të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se pas një viti e gjysmë ngrirje, çmimet në ndërtim kanë filluar të rriten sërish me ritme të larta. Sipas Bankës në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, çmimet e apartamenteve janë rritur me 15.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Ekspertët e bankës thonë se kjo rritje i dedikohet dy faktorëve, i pari ka të bëjë me kursin e këmbimit, sepse apartamentet në Shqipëri shiten kryesisht në euro dhe zhvlerësimi i lekut ndaj monedhës europiane ka bërë që vetëm prej këtij efekti ndodhin që çmimet e banesave në gjashtëmujorin e parë u rriten me 7 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa tjetër e rritjes prej rreth 8.6 përqind ka ardhur nga vetë ndërtuesit, të cilët sipas Bankës kanë reflektuar në të rritjen e kostove, por edhe i kanë paraprirë një rritje të mundshme të kërkesës për apartamente.
Last Updated on E Marte, 02 Shkurt 2010 20:18