Strukturat paralele, për rivendosje të bllokadave
Përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri kanë paralajmëruar protesta të reja në rast se KFOR-i dhe EULEX-i pas 15 shtatorit do të mbështesin vendosjen e doganierëve dhe Policisë Kufitare të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, ndërsa lidhur me këtë kanë biseduar edhe me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviq.
I ashtuquajturi shef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, ka kërcënuar se serbët nuk do të lejojnë që në Jarinje dhe Bërnjak të vendosen doganierët e Kosovës.
“Mendoj se nuk ka nevojë për panik dhe qytetarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe në mënyrë të qetë të shprehin pakënaqësinë ndaj mos pranimit të doganës së Kosovës”, ka thënë ai.
Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiq, ka thënë se serbët do të bllokojnë të gjitha rrugët magjistrale në veri nëse KFOR-i dhe misioni EULEX vihet në mbështetje të dërgimit të policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës më 16 shtator në veri.
Ai ka bërë të ditur se në takim me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviq është diskutuar rreth ruajtjes së pronave dhe sigurisë së qytetarëve, në mënyrë që situata të mbahet nën kontroll.
Përveç Pantiqit dhe Nedelkoviqit, me ministrin Bogdanoviq në Leposaviq kanë biseduar edhe kryetarët paralelë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Bogdanoviq, i cili javën e kaluar pat deklaruar se serbët janë të gatshëm të paguajnë akcizat dhe tatimet, por me kusht që paratë të mbeten në veri, ka kundërshtuar dërgimin e policëve kufitarë dhe doganierëve në pikat kufitare në veri, duke e quajtur këtë si një “hap të njëanshëm” të Prishtinës.
“Jemi pajtuar se nuk mund të pranojmë hapat e njëanshëm të Prishtinës...Dëshirojmë raporte partneriteti me KFOR-in dhe EULEX-in, por nuk mund të pranojmë deklaratat e zyrtarëve kosovarë se më 16 shtator në kalimet administrative në veri të Kosovës të instalojnë policinë kufitare të Kosovës dhe të fillojë të paguhet dogana”, ka porositur Bogdanoviq.
Sipas tij, vetëm me rrugë paqësore mund të mbrohen interesat e serbëve të veriut.
Kërcënimi i serbëve të veriut për vendosjen e barrikadave vjen pak kohë pasi që serbët të shtunën kanë vendosur dhe larguar barrikadat në disa rrugë në veri, në shenjë proteste ndaj siç janë shprehur, vendosjes së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se më 16 shtator do të fillojë implementimi i plotë i marrëveshjes mes Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për funksionimin e plotë të pikave 1 dhe 31 në veri.
Ai në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të mërkurën e kaluar, ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët serbë në veri, por me ata që kanë shkelur rendin dhe ligjin, të cilët do të përballen me drejtësinë.
Policia e Kosovës kah fundi i korrikut ndërmori aksion për rivendosjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat që një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës dhe ku është zhvilluar kontrabanda dhe krimi i organizuar. Gjatë këtij aksioni është vrarë një pjesëtar i njësive speciale të Policisë së Kosovës.