E Diel, 1 Nëntor 2026

Strukturat paralele serbe: Jo doganierëve kosovarë në Veri

Përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në veri kanë paralajmëruar protesta të reja nëse KFOR-i dhe EULEX-i pas 15 shtatorit do të mbështesin vendosjen e doganierëve dhe Policisë Kufitare të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, ndërsa lidhur me këtë kanë biseduar edhe me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç.
 

I ashtuquajturi shef i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviç, ka kërcënuar se serbët nuk do të lejojnë që në Jarinje dhe Bërnjak të vendosen doganierët e Kosovës. “Mendoj se nuk ka nevojë për panik dhe qytetarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe në mënyrë të qetë të shprehin pakënaqësinë ndaj mos pranimit të doganës së Kosovës”, ka thënë ai.
 

Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiç nga ana tjetër, ka thënë se serbët do të bllokojnë të gjitha rrugët magjistrale në veri nëse KFOR-i dhe misioni EULEX vihet në mbështetje të dërgimit të policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës më 16 shtator në veri. Ai ka bërë të ditur se në takim me ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç është diskutuar rreth ruajtjes së pronave dhe sigurisë së qytetarëve, në mënyrë që situata të mbahet nën kontroll.
 

Përveç Pantiçit dhe Nedelkoviçit, me ministrin Bogdanoviq në Leposaviç kanë biseduar edhe kryetarët paralelë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Bogdanoviç, i cili javën e kaluar kishte deklaruar se serbët janë të gatshëm të paguajnë akcizat dhe tatimet, por me kusht që paratë të mbeten në veri, ka kundërshtuar dërgimin e policëve kufitarë dhe doganierëve në pikat kufitare në veri, duke e quajtur këtë si një “hap të njëanshëm” të Prishtinës. Sipas tij, vetëm me rrugë paqësore mund të mbrohen interesat e serbëve të veriut.

Kërcënimi i serbëve të veriut për vendosjen e barrikadave vjen pak kohë pasi serbët sot, kanë vendosur dhe larguar barrikadat në disa rrugë në veri, në shenjë proteste ndaj vendosjes së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Policia e Kosovës në fund të muajit korrik, ndërmori aksion për rivendosjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat që një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës dhe ku është zhvilluar kontrabanda dhe krimi i organizuar. Gjatë këtij aksioni është vrarë një pjesëtar i njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›