E Hënë, 2 Nëntor 2026

Strukturë e përbashkët mes policisë italiane e shqiptare

30/05/2005  TIRANË - Në planet e afëra të Policisë së Shtetit e të Ministrisë së Rendit Publik, bën pjesë krijimi i një grupi të përbashkët pune me policinë italiane, për të siguruar ruajtjen e kufirit. Trafiqet e klandestinëve, linjat e trafikut të drogës, etj., i kanë detyruar krerët më të lartë të policisë së Shqipërisë dhe Italisë, të krijojnë një strukturë të përbashkët për të ruajtur kufirin detar mes dy vendeve. Iniciativa është mbështetur dhe financohet nga Bashkimi Europian, ndërsa në të do të jenë të përfshira, efektivë të policisë kufitare nga të dy vendet, të cilët do të patrullojnë me mjete të përbashkëta lundrimi, për të parandaluar kalimin e klandestinëve, trafiqeve ilegale si dhe kontrabandës. Zyra qendrore e këtij projekti ndërkufitar, do të jetë në Bari të Italisë. Ndërkaq, burimet policore thanë se në mbështetje të krijimit të kësaj strukture, do të jenë edhe efektivë aktualë të qendrës Antitrafik në Vlorë, të cilët tashmë kanë një eksperiencë të gjatë në zbulimin e elementëve kriminalë, që organizojnë trafikun e klandestinëve apo ato të kalimit të drogës për në brigjet e përtej Adriatikut. Muajt e fundit, forcat policore të të dy vendeve, kanë qenë tepër efikase në kapjen e disa trafikantëve të drogës dhe sekuestrimin e disa kilogramëve heroinë. Operacioni më i madh, u zhvillua rreth tre javë më parë, kur karabinierët mundën të kapnin 140 kilogramë herionë dhe parandaluan vrasjen e një 30-vjeçari shqiptar, të urdhëruar nga bashkëshortja e tij durrsake. Ndërsa, përsa i pëket trafikut të klandestinëve, deri në ditët e sotme, nuk është shënuar asnjë rast dhe janë vënë nën pranga disa persona, që kërkoheshin për këto vepra penale.

M.Mullai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›