Studentë të Universitetit Evropian, për herë të tretë vizituan KMDLNJ-në
Prishtinë, 16 Janar NOA - Në kuadër të
bashkëpunimit me Universitetin Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe
Demokratizim nga Venediku (Itali), një grup studentesh vizituan KMDLNJ-në (Këshilli
për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut), me çrast u priten nga
prof.dr. Zejnullah Gruda, anëtar i Bordit. Kjo ishte hera e tretë që studentët
e këtij universiteti vizitojnë KMDLNj-në.
Anëtari i Kryesisë Zejnullah Gruda i informoi
studentët me historiatin, aktivitetet dhe rolin e KMDLNJ-së si dhe me
vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky institucion për mbrojtjen e të
drejtave të njeriut i cili vepron pandërprerë që nga viti 1989.
Gruda theksoi se KMDLNJ është për bashkëpunim
me të gjitha institucionet dhe organizatat të cilat merren me mbrojtjen e të
drejtave dhe lirive të njeriut.
KMDLNj e vlerëson lart bashkëpunimin me
Universitetin Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim i cili luan
rol të rëndësishëm në promovimin dhe përparimin e të drejtave të njeriut.
Grupi që përbëhej nga studentë nga vende të
ndryshme të botës e vlerësoi lart veprimtarinë e KMDLNJ-së dhe theksoi
domosdoshmërinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në të gjitha fushat që kanë të
bëjnë me të drejtat e njeriut.
Studentët e Universitetit Evropian për të
Drejtat e Njeriut nga Venediku shfaqën interesim për gjendjen e të drejtave të
njeriut pas luftës së fundit në Kosovë në përgjithësi si edhe promovimin dhe
respektimin e tyre në veçanti.
a.b/NOA