E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët; MASH na gënjeu, ja propozimi i UT-së



Studentët e gazetarisë kanë shpërndarë dje propozimin e bërë nga senati i Universitetit të Tiranës për formatin e diplomës, duke përgënjeshtruar Ministrinë e Arsimit. MASH deklaroi se kishte miratuar propozimin e senatit, por sipas formateve të bëra publike nga studentët, diçka e tillë nuk rezulton. “Gjatë takimit që ne, studentët e Gazetarisë patëm ditën e enjte me zëvendës ministren e Arsimit, Adriana Gjonaj, kjo e fundit na deklaroi se, ne (Ministria) vetëm kemi miratuar formatin që na është propozuar nga Senati i Universitetit të Tiranës, ndërsa faktet tregojne se MASH-i nuk e ka marrë fare parasysh propozimin e Senatit, por e ka detyruar këtë të fundit të veproje sipas udhëzimit të saj” – deklaruan studentët. Sipas tyre, propozimi që Senati UT-së i ka bërë MASH-it shënon datën, 04.07.2008. “Duke mos e marrë parasysh këtë propozim, MASH-i ka derguar Rektoratit të UT-së një udhëzim më datë 14.07.2008, me anë të të cilit e detyron senatin të formatojë diplomen duke iu fereruar ketij të fundit.” – deklaruan studentët. Ata thonë se diferenca 10 ditore nga propozimi i senatit dhe udhëzimi MASH-it, vërteton se , studentët e gazetarisë janë përballë një veprimi arbitrar i cili u sfumon tre vite djersë dhe shpenzime”

Protesta

Në ditën e tretë të protestës, studentëve të gazetarisë u është bashkuar edhe Unioni i Gazetarëve. Protesta ka vazhduar sërish dje para rektoratit të Universitetit të Tiranës, ku qindra studentë kanë kërkuar pezullimin e shpërndarjes së diplomave. Krah me studentët është bërë edhe kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Cipa. Ai u ka kërkuar institucioneve të mbajnë përgjegjësi për diplomat që lëshojnë dhe të mos cenojnë një brez të tërë gazetarësh.

Të penalizuar nga diplomat e reja janë studentët e gazetarisë, që kanë mbaruar një vit më parë, me sistemin e Bolonjës. Ata sërish ditën e djeshme kanë theksuar kërkesën e tyre, duke shprehur se nuk do të tërheqin diplomat. Prej disa ditësh ata po i kërkojnë Ministrisë së Arsimit të ndryshojë formën e diplomës, e cila është e ngjashme me një certifikatë, ndërkohë që ish-studentët thonë se forma e diplomës së re ka dhe shumë mangësi të tjera, krahasuar me formatin e paraqitur nga Senati i Universitetit të Tiranës.

"Diploma e nivelit të parë nuk përmban titullin e studimit, nuk përmban emrin e fakultetit ku kemi studiuar, dhe nuk janë të besueshme për tregun e punës", - shprehet një ish-student i gazetarisë.

Në mbështetje të studentëve ka dalë dhe Unioni i Gazetarëve. Sipas kryetarit të këtij unioni, Aleksandër Cipa, ky është cenim që i bëhet brezit të ardhshëm të gazetarëve, ndërkohë që ai u shpreh se unioni do të mbështesë studentët, deri në një reagim nga strukturat përkatëse.

"Ne si Union i Gazetarëve Shqiptarë kërkojmë veçanërisht ndërhyrjen e Kryeministrit, ministrit të Arsimit të Lartë, ta marrin në konsideratë menjëherë këtë çështje, e cila është shumë serioze. Ta vlerësojnë këtë kërkesë, e cila në fakt ka lidhje drejtpërsëdrejti me kushtet dhe realitetin informativ dhe informal që ka në mediat shqiptare sot në këtë treg", - tha Aleksandër Cipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve.

Por reagimi i Ministrisë së Arsimit thotë se kjo formë e emërtimit të diplomës krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesional. Krahas diplomës, çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer.

Diploma

Diploma është e shtypur në formatin A4, me ngjyrë të kaltër të lehtë. Stemat kryesore në të janë e Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, si dhe emblema e institucionit përkatës të arsimit të lartë. Në diplomë nuk sqarohet më asnjë vend se në cilin fakultet ka mbaruar studimet ky student. Përveç mungesës së fakultetit, në diplomë nuk cilësohet titulli që merr studenti me përfundimin e këtij cikli studimi. Në diplomë gjithashtu jepet një emërtim i përgjithshëm, duke mos shpjeguar specifika të tjera.

Shalsi: Mosmiratimi i buxhetit la pa kanalizime “Don Boskon”

Vijon turi i nënkryetarit të bashkisë, Eduard Shalsi. Ndalesa e tij e radhës ditën e djeshme ka qenë rruga “Don Bosko”. Ai është shprehur se në këtë bllok banorët kanë mbetur pa kanalizime, si shkak i mosmiratimit të buxhetit.

“Në këtë bllok, pranë rrugës “Don Bosko”, ky komunitet mezi po pret që ne të bëjmë kanalizimet, por Sali Berisha e Ilir Meta as nuk duan t’ia dinë për hallet e këtyre banorëve. Atyre nuk u interesojnë shqetësimet e problemet e qytetarëve. Ajo që u intereson është vetëm që të armiqësojnë qytetarët me Bashkinë e Tiranës, madje të bëjnë qytetarët të mallkojnë Bashkinë e Tiranës. Buxheti i bashkisë, buxheti i qytetarëve dhe i qytetit do të zgjidhë ndërmjet të tjerave edhe problemin e këtij komuniteti, por Sali Berisha e Ilir Meta vazhdojnë ta rrëzojnë, duke lënë këtë komunitet edhe pa kanalizimin jetik”, - u shpreh Shalsi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›