E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ulen importet, tregtarët kanë frikë të investojnë

07/06/2005  Ulet niveli i çdoganimeve, tregtarët hezitojnë të rrisin volumin e punës

Vëllimi i importeve ka shënuar ulje gjatë muajve të fundit, ndërkohë që nuk është ndjerë asnjë kompensim në anën e kundërt, eksportet. Zgjedhjet kanë filluar të japin ndikimin e tyre në ekonomi dhe duket se tregtarët e thjeshtë që jetojnë duke blerë jashtë e duke shitur në tregun vendës, kanë filluar të reduktojnë aktivitetin e tyre. Zhurma mbi politikat fiskale që ndryshojnë nga një parti te tjetra, duket se ka shkaktuar konfuzion te tregtarët, të cilët kanë reduktuar aktivitetin e tyre.

Sondazhet mbi tre mujorin e parw kanw treguar se importet janë ulur nga 68 717 milion lekë në 52 818 milion lekë, pra 16 milion lekë më pak Kështu, edhe pse të dhënat për tremujorin e dytë të 2005-ës nuk janë bërë publike, çdoganimet kanë treguar se është ndjerë një ulje e vëllimit të importeve jo vetëm në produktet e gatshme, por dhe në lëndën e parë.

Ndikimi i zgjedhjeve në ekonomi është një fakt i pranuar nga të gjithë drejtuesit e institucioneve financiare në vend. Ndërkaq duket se jo vetëm administrata vihet nën presion zgjedhor dhe ndryshimet në qeverisje, por dhe biznesi ka pjesën e vet të ndikimit. Specialistët vendosin në radhën e parë të ndikimit nga zgjedhjet uljen e investimeve të huaja, ndërkohë që në Shqipëri në të njëjtin presion dhe dilemë përpara zgjedhjeve vihet edhe biznesi vendës. Kështu gjatë prezantimit në fushatë elektorale, dy partitë e mëdha kanë patur kundërshtime thelbësore për sa i takon Paketës Fiskale, sistemit të taksave dhe mënyrës së trajtimit të biznesit. Kështu, PD-ja ka premtuar një ulje drastike të taksave në masën 30 për qind, çka do të thotë shumë për financat e kompanive private që kanë marrëdhënie me institucione si doganat apo tatimet. Nga ana tjetër duket se PS-ja do të qëndrojë në të njëjtën linjë për sa i takon taksave, duke premtuar më shumë lehtësira dhe një ulje të TVSH-së në një periudhë afatmesme. Kështu një llogaritje e thjeshtë nga ana e tregtarëve, bën që muaji përpara zgjedhjeve të mos jetë më i përshtatshmi për të investuar, të paktën deri në momentin që do të mësohet se cila strategji do të fitojë dhe me çfarë plani fiskal do të ecet pas 3 korrikut.

16 milionë lekë ulja e importeve

37 475 milionë lekë defiçiti tregtar

Rritet prodhimi i naftës dhe energjisë

Gjatë tremujorit të parë të 2005-ës, kompanitë prodhuese kanë intensifikuar punën e tyre, duke bërë që niveli i përgjithshëm i prodhimit në vend të rritet me 1.39 për qind. ”Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, prodhimi shënoi një rritje prej 12.7 për qind“, ka bërë të ditur INSTAT në buletinin mujor.

Sektorët lider që kanë bërë të mundur rritjen e prodhimit në shkallë vendi janë energjia elektrike, nafta dhe uji, që mbajnë dhe peshën më të madhe të rritjes. "Prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike, gazit dhe ujit", kanë shënuar një rritje vjetore përkatësisht prej 3.4 për qind, 13.5 për qind dhe 10.4 për qind“, bën të ditur INSTAT, duke kujtuar se dhe nafta nuk ka mbetur më mbrapa. Kështu në sektorin "Industria nxjerrëse" vërehet ngritje vjetore në aktivitetet “Nxjerrja e naftës bruto, gazit natyral, shërbime plotësuese në nxjerrjen e naftës dhe gazit" e "Nxjerrja e produkteve energjetike" përkatësisht në masën 4.1 për qind dhe 4 për qind. Por ajo që bie më shumë në sy mes industrive që kanë shënuar një rritje sasiore të prodhimit është industria e përpunimit të duhanit. Duket se në Shqipëri po fillon të rizhvillohet kjo industri, që një vit më parë mund të konsiderohej e falimentuar. "Industria e duhanit" ka shënuar një rritje vjetore prej 10.9 për qind“, ka bërë të ditur INSTAT. Por nuk mund të quhen kaq me fat sektorët brenda industrisë ushqimore, e cila në tërësinë e saj ka shënuar një ulje prej 0.2 për qind. Megjithatë brenda këtij grupi, nënprodukte si birrë dhe pijet freskuese kanë shënuar rritje, duke bërë përjashtim nga nënproduket e tjera ushqimore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›