Studentët e Juridikut: U diskriminuam
Studentët e çregjistruar nga sistemi me kohë të pjesshme në Fakultetin e Drejtësisë kanë deklaruar dje për mediat se janë diskriminuar në bazë të këtij vendimi. Ata thanë se nuk ishin të informuar për problemin në fjalë dhe se ka edhe studentë të tjerë që janë regjistruar, duke vijuar paralelisht studimet në Universitetin e Tiranës. Ndërkohë, rektorati i UT-së u kërkoi studentëve që të bënin publik këdo që është regjistruar padrejtësisht, në mënyrë që të çregjistrohet.
“Ka të tjerë”
Studentët e çregjistruar akuzuan Universitetin e Tiranës për çregjistrime selektive. “Ne njohim studentë të tjerë që kanë filluar Juridikun dhe që janë në një shkollë tjetër. Ajo çka nuk kuptojmë, është pse vetëm Juridiku dhe pse vetëm ne, kur ka edhe të tjerë, që ashtu si ne janë regjistruar në formë që sipas tyre është e paligjshme”, – deklaruan ata.
Ndërkohë, rektorati i UT-së reagoi duke thënë se çdokush që ka hyrë në shkollë duke gënjyer në formularin e vetëdeklarimit, do të çregjistrohet. I pyetur nga gazeta “standard”, drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo, u shpreh: “Universiteti po vazhdon të kontrollojë çdo student të regjistruar dhe ky proces nuk ka përfunduar ende. Ne presim këto ditë të na konfirmohen emrat e studentëve të tjerë që mund të vazhdojnë studimet në një shkollë tjetër”. Për sa i përket nisjes së kësaj procedure nga Fakulteti i Drejtësisë, z. Demo tha se kjo u bë vetëm për shkak të faktit se në shkollat e tjera të gjithë ata që u regjistruan, u shpallën fitues, ndërkohë që në Juridik kanë mbetur jofitues. “Ditët në vijim do të nisë edhe në shkollat e tjera, por Juridiku ishte përparësi për shkak të këtij fakti”, – tha z. Demo.
“Delja e zezë”
“Ne u bëmë delja e zezë, duke na publikuar emrat për diçka që nuk ishim në dijeni. Nuk mund që të thonë nëpër gazeta e televizione që jemi mashtrues, për diçka të tillë, – thotë një prej studentëve të çregjistruar. – Kur vajtëm të regjistroheshim, askush nuk na tha se nuk duhet të ishim në një shkollë paralele dhe tani na publikojnë emrat dhe thonë që mund të ndiqemi penalisht. Kur plotësuam deklaratën personale, na thanë se ishte thjesht diçka teknike dhe as që e lexuam”.
Ata thanë për “standard” se për udhëzimin e ministrit të Arsimit, i marrë më 31 dhjetor, nuk ishin informuar as vetë sekretaritë. “Ne shkuam në sekretari dhe nuk dinin gjë, thjesht na thanë që ta firmosnim dhe kaq”, – thanë studentët.
Njëri prej tyre ishte regjistruar në këtë sistem me diplomën e shkollës së mesme dhe jo me atë të shkollës së lartë, pasi vërtetimi i notave nuk iu pranua. “Unë vajta të regjistrohesha me vërtetimin e notave të shkollës së lartë, pasi diploma nuk është dhënë as sot, siç e dini, por sekretaret më thanë që të regjistrohesha vetëm me diplomën e shkollës së mesme, sepse nuk mund të bëhej ndryshe. Tani më kanë nxjerrë mashtrues në media”, – tha ai.
Shërbimet sociale dhe shëndetësore, me menaxhim të përbashkët
Projekti fillimisht do të shtrihet në qytetin e Vlorës dhe Shkodrës
Italia vë në dispozicion 800 mijë euro për fillimin e projektit
Shërbimet shëndetësore dhe ato sociale do të kenë menaxhim të përbashkët, për t`u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Në bazë të një projekti italian, përkrahja, shërbimet social-shëndetësore, ku përfituesit e tij janë personat që marrin ndihmë dhe përkrahje sociale nga shteti, do të jetë e integruar. Me implementimin e këtij projekti këto kategori qytetarësh mjafton që të paraqesin librezën e ndihmës sociale në qendrat shëndetësore në mënyrë që të përfitojnë shërbime shëndetësore falas.
Projekti
Përveç ndihmës ekonomike që u jepet nga shteti, asistencë sociale, tanimë kjo kategori do të mund të përfitojë edhe shërbim shëndetësor falas. Bazuar në projektin e shtetit italian është vënë në fokus dhënia e ndihmës kryesisht për këto kategori. Kështu, Italia do të mbështesë shëndetësinë shqiptare, nëpërmjet këtij projekti për sistemin e planifikimit dhe të menaxhimit të shërbimeve social-shëndetësore.
Në këtë mënyrë pritet të ketë një integrim më të mirë mes sektorëve shëndetësorë dhe atyre socialë. Kështu, kjo kategori, duke qenë e pajisur me librezën e ndihmës sociale, mjafton të paraqitet si në poliklinika ashtu edhe në spitale dhe do të mund të përfitojë shërbim pa paguar asgjë.
Projekti u prezantua dje gjatë një takimi që zv.ministri Bushati pati me një delegacion italian, në përbërje të cilit ishin Antonio Verriko, përfaqësues i Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, si dhe përfaqësues nga Rajonit e Molizes, Emilia-Romanjas, Ligurias, Puljas, Abrucos, Sardenjës, Venetos etj. Projekti do të zbatohet në Bashkitë e Shkodrës dhe Vlorës, për të cilin do të ketë një bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit, atë të Shëndetësisë, si dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Zbatimi
Fillimi i projektit, sipas z. Bushati, kap shifrën rreth 800 mijë euro, në kuadër të ndihmës së qeverisë italiane dhe Bashkëpunimit Italian për Zhvillim, drejtuar vendeve te Ballkanit, veçanërisht të atyre në Jug të Mesdheut (të financuara këto nga fondi CIPE-FAS).
Gjatë takimit, zv.ministri Bushati i siguroi ata për mbështetjen dhe bashkëpunimin e palës shqiptare. Duke u ndalur në situatën aktuale të sistemit shëndetësor, ai tha se "çdo projekt për përmirësimin e tij është ndihmë e çmuar".
"Ky projekt pritet të rrisë zhvillimin progresiv të integrimit midis sektorëve shëndetësore dhe social në vendin tonë", - bëri të ditur z. Bushati. Për realizimin e këtij projekti, sipas tij, janë angazhuar rreth 8 rajone të Italisë.
ISHP
Media shton vetëvrasjet
Parandalimi i vetëvrasjeve është një çështje që kërkon dhe bashkëpunimin e medias, pasi studime të kryera në vende të ndryshme të botës kanë vërtetuar se vetëvrasja është një dukuri që imitohet, ndaj raportimi i përgjegjshëm shpëton jetë. ISHP-ja apelon për bashkëpunimin e medias me autoritetet e shëndetit në prezantimin e fakteve që lidhen me vetëvrasjen. "Media mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv për të parandaluar vetëvrasjet, duke publikuar dhe informacionin e nevojshëm, si për ofruesit e shërbimeve të shëndetit mendor, duke publikuar shenjat paralajmëruese të sjelljes vetëvrasëse etj.", - pohojnë burime nga ISHP-ja, duke rekomanduar se "nuk duhet të publikohen foto dhe detaje specifike mbi metodën e përdorur".