E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e USHT-së, protestojnë në Tetovë

Tetovë-Qindra e mijëra studentë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, kanë protestuar sot kundër vendimit të qeverisë së Maqedonisë, për uljen e buxhetit për këtë universitet. “Mos na vritni ardhmërinë” ishte motoja kryesore e protestës së studentëve të mbajtur në sheshin e qytetit të Tetovës.

Ata shprehën revoltën e tyre kundër diskriminimit institucional të USHT-së. Në protestë kanë marrë pjesë edhe qytetarë, partitë politike opozitare, shoqatat e veteranëve të luftës si dhe shoqatat e ndryshme qytetare. Marshi i protestës filloi para rektoratit, ndërsa përfundoi në sheshin e qytetit të Tetovës. Në ballë të protestave kanë qëndruar ish-rektorët Sadi Bexheti dhe Fadil Sulejmani.

Kryetari i Parlamentit Studentor Gadaf Uzeiri theksoi se protesta organizohet me qëllim të ruajtjes së universitetit. “Sot jemi këtu për të kërkuar nga shteti, që të na trajtojë si studentët e tjerë. Qeveria duhet të ndërpresë të shkelë autonominë e USHT-së. Nëse vazhdohet me shkurtimin e buxhetit do të vazhdojmë të organizohemi dhe në forma demokratike të shprehim pakënaqësitë tona”, ka theksuar Uzeiri.

Studentët theksuan nevojën e rritjes së buxhetit të këtij Universiteti për shkak të nevojave të domosdoshme të këtij institucioni. Protesta e studentëve të USHT-së pasoi si rezultat i vendimit të Qeverisë së Maqedonisë për shkurtimin e buxhetit të këtij Universiteti dhe diskriminimin financiar, me ç'rast vetëm 10 për qind të mjeteve të buxhetit për arsimin e lartë i janë dedikuar universitetit të vetëm në gjuhën shqipe në Maqedoni. (ina/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›