A janë të vërteta këto bisedime teknike?!
Këto ditë është paralajmëruar një raund i ri i bisedimeve Prishtinë-Beograd, kinse për çështje teknike. Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të zhvilloj bisedime me Serbinë, por me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe vetëm në cilësinë e dy shteteve. Por a janë këto bisedime të reja vetëm teknike apo është diçka e përgatitur më herët? Ta sqarojmë më poshtë:
Bisedimet Prishtinë - Beograd rrjedhin nga kërkesat e planit 6-pikësh të Ban Ki Munit.
Këto bisedime tani edhe mund të quhen teknike sepse e kanë për detyrë për të jetësuar (operacionalizuar) planin 6 pikësh, meqë bisedimet politike dihet se janë kryer me paraqitjen e planit 6 pikësh, i cili në mënyrë të heshtur është pranuar nga institucionet tona. Për t'i pranuar bisedimet është përkujdesur edhe zyrtari i shtetit amerikan, i cili disa ditë më parë ishte në Kosovë dhe pati biseduar me udhëheqësit më të lartë të Kosovës me dyer te mbyllura.
Po ashtu, vlen të përmendet fakti i paralajmërimit të Serbisë, se bisedime nuk do te zhvilloj me institucionet e Kosovës, por vetëm me UNMIK-un dhe EULEX-in.
-Kjo kërkesë e Serbisë është e kuptueshme sepse UNMIK-u dhe EULEX-i veprojnë në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244, prandaj Serbia do ta ketë më të lehtë zbatimin e planit 6-pikësh, mbase përmes këtyre bisedimeve. Këto bisedime nuk janë assesi teknike siç po cilësohen nga institucionet tona sepse:
- Nëse këto bisedime janë vetëm teknike dhe do të zhvilloheshin në cilësinë e dy shteteve të barabarta, atëherë pse kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar?!
- Nëse këto bisedime janë vetëm teknike, atëherë pse nuk tregohet se për çka do të bisedohet?! Pse mbahen të fshehta nga opinioni publik temat konkrete teknike që i dashka të bisedohen, temat që kërkojnë zgjidhje në interes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë?! Duke u mbështetur në këto fakte, shtrohen pyetjet: A mund të bëjnë bisedime institucionet e Kosovës, kur dihet, se ende nuk e kontrollojnë tërë territorin e vet? -A mund të bisedosh për një territor në të cilin nuk e administron, në të cilin nuk e ke shtrirë pushtetin tënd? Kjo do të thotë humbje e betejës akoma pa e filluar atë. Nga e gjithë kjo del qartë, se bisedimet nuk janë thjeshtë teknike. Përkundrazi. Ato kanë prapavijë zbatimin e planit 6 pikësh, i cili çon në thellimin e ndarjes së pjesës së veriut të Kosovës. Dhe jo vetëm kaq, por përmes këtij plani, Serbia mundohet të ndjekë këtë skenar për të shtuar ndikimin e saj në sa më shumë territore të banuara me popullatë shumicë serbe.
Andaj, Kosova në këto rrethana nuk ka nevojë për bisedime të tilla sepse: Bisedimet me Serbinë në këtë fazë ku është Kosova, vetëm sa e legjitimojnë edhe më shumë Serbinë si faktor vendimmarrës në veri te Kosovës dhe në enklavat serbe në brendi të saj. Bisedimet me Serbinë po bëhen në kohën kur Serbia po synon çdo ditë destabilizim të Kosovës dhe gllabërim të territoreve të saj. Bisedimet me Serbinë po bëhen pa asnjë kusht. Ato pritet të rifillojnë në kushtet kur Serbia ka pretendime mbi Kosovën, nuk e njeh atë, kur ministrat e Serbisë hyjnë në Kosovë, pa asnjë pengesë, pa e pyetur askënd. Madje, e quajnë edhe si tokë të tyre Kosovën.
Me këto bisedime të cilat janë kërkesa të vazhdueshme të Serbisë, po krijohen parakushtet për një ndarje funksionale, gjithnjë e më të ashpër të pjesës së veriut dhe forcimi i enklavave- pjesëve ku jetojnë serbët. Së fundi, ne kemi nevojë për bisedime brendakombëtare, të cilat do të qonin në hartimin e një platforme kombëtare për të dalë nga gjendja me të cilën përballemi jo vetëm si Kosovë, por edhe si komb. Kjo platformë është domosdoshmëri e kohës dhe do të na shërbejë si udhërrëfyese për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan- bashkimin kombëtar.
*Autori është anëtar i kryesisë së Lëvizjes për Integrim dhe Bashkim