E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Vlorës në protestë kundër vendimeve të Rektoratit



Vlorë - Studentët e Vlorës u ngritën dje në një protestë kundër urdhrave të dala nga zyra e rektorit, Tanush Shaskaj. Studentët e Universitetit “Ismail Qemali” u bashkuan dje në një protestë të lajmëruar që më parë, duke bojkotuar mësimin. Mungesa e informimit, përjashtimi nga vendimmarrjet dhe kaosi që ka shoqëruar nisjen e shkollës janë shkak i manifestimit masiv të studentëve të Vlorës, që dje ka përfshirë gjithë bulevardin kryesor të qytetit. “Kërkojmë rishikimin e orareve, rregulloren e vendosur nga rektori, heqjen e notës 5 si notë kaluese, oraret e zgjatuara të mësimit, frekuentimin e detyruar të leksioneve dhe frekuentimin në lëndët e mbartura”, - kanë thënë studentët. Ata i kanë bërë thirrje rektorit të Universitetit të ndryshojë vendimet e marra, pasi sipas tyre universiteti nuk është laborator eksperimentesh. “Në këshillat studentorë ne nuk ndihemi të përfaqësuar, pasi në to janë vetëm dy veta”, - thanë më tej ata. Një tjetër kërkesë e studentëve ka qenë edhe infrastruktura, pasi sipas tyre është e pamundur të zhvillohet mësim normal me 200 veta në sallë.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›