E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vret fqinjin me çifte për një kanal që i kalonte në bahçe

13/05/2005  Fillimisht ishin grindur me grushta, ndërsa viktima e kishte plagosur autorin me thikë

Grinden me njëri-tjetrin për një kanal, një vritet tjetri plagoset. Sherri për pronën mes dy fqinjëve me banim pranë Unazës së Re, prapa godinës së “Astirit” në Tiranë, ka degjeneruar në tragjedi pasditen e djeshme. Artan Ajasllari 33 vjeç, me banim në Tiranë, është ekzekutuar pasditen e djeshme nga fqinji i tij me armë gjahu. Ndërsa autori i vrasjes, Sabah Veseli, 43 vjeç, nga Miloti dhe me banim në Tiranë, është dëmtuar nga viktima me thikë. Ka qenë një sherr banal për një vijë uji, që ka çuar në sherrin dhe vrasjen e 33-vjeçarit.

Ngjarja

Kanë qenë orët e vona të pasdites së djEshme, kur ka lindur sherri mes dy fqinjëve, Sabah Veseli dhe Artan Fatmir Ajasllarit. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se gjithçka ka ndodhur për motive pronësie. Sipas burimeve, ka qenë një kanal i viktimës, që kalonte në tokën e autorit të vrasjes, sebepi i sherrit. Sipas dëshmive të marrA në vendngjarje, 43-vjeçari Veseli i ka kërkuar fqinjit të tij, Ajasllarit, që të prishte kanalin që kalonte në tokën e tij. Por nga kjo fjalë duket se ka lindur debati e më pas sherri. Burimet e policisë pohuan se ata janë qëlluar fillimisht me grushta. Ndërsa më pas, viktima Ajasllari e ka qëlluar Veselin me thikë, duke e plagosur lehtë. Por ky i fundit ka shkuar në shtëpi dhe, pasi ka marrë armën, një armë gjahu, ka qëlluar drejt 33-vjeçarit Ajasllari, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas autori i vrasjes është larguar me të shpejtë.

Arrestimi

Menjëherë pas njofimit për ngjarjen, forcat policore të Komisariatit nr.6 në Tiranë, janë vënë në ndjekje të autorit. Në bazë të dëshmive të personave të rastësishëm dhe kontrollit intensiv është bërë e mundur të lokalizohet vendndodhja e tij. Burimet e policisë sqarojnë se 43-vjeçari Veseli është kapur pranë Spitalit Ushtarak në Laprakë. Ato shtuan se vrasësi i fqinjit nuk ka bërë rezistencë dhe ka pohuar se po shkonte të mjekonte plagët e marra nga viktima e tij. Burimet theksuan se pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, pyetjes së dëshmitarëve okularë, u konkludua në bazë të provave se Veseli kishte vrarë fqinjin e tij. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e gjahut me të cilën u krye krimi, përfunduan burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›