E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e zhytur në krim rruge, nga universitete private (Update)

Tiranë, 7 tetor 23:06 NOA - Strukturat e hetimit të Krimit, të sektorit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës, pohuan sonte për agjencinë e lajmeve NOA se dy nga pesë të arrestuarit ishin studentë të universiteteve private.

Këto burime dhanë për agjencinë e lajmeve NOA, detaje për atë që e cilësuan super operacion të suksesshëm të koduar “Euro Bank”, duke sekuestruar një shumë të konsiderueshme në valutë euro dhe vendosur nën pranga 5 të rinjtë.

Të arrestuarit janë Ervis Tosku, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i pa punë, Shyqyri Dushku, 23 vjeç, student, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, Bedri Noka, 24 vjeç, lindur në Kukës e banues në Selitë Tiranë, student pranë një Fakulteti Privat në Tiranë, Kliti Zyka, 20 vjeç, (në foton bashkëlidhur), lindur në Skrapar, student pranë një Fakulteti Privat në Tiranë dhe Rogert Dervish Karaj, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë.

Arrestimi i tyre u krye mbi bazën e urdhrave të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila me vendimin e ditës së sotme, ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Të dyshuarit, akuzohen për konsumim të veprave penale të “Falsifikimit të monedhave”.

Burimet policore thanë se pas një hetimi disa mujor, nën drejtimin e Task Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u arrit dokumentimi i veprimtarisë kriminale të tyre, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime të kundërligjshme për shpërndarje të eurove të falsifikuara.

Ndërkohë, pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesat e tyre, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma e parave prej 900 euro, të falsifikuar, 15 qese me lëndë narkotike e llojit hashash e përgatitur në qese për t’u shitur, një granatë dore, si dhe një librezë studenti e falsifikuar.

“U arrit të dokumentohet tërësisht, se valuta false kishte destinacion hedhjen e eurove të falsifikuar, në tregun e valutës në kryeqytetet”.

Pas shtrirjes së gjerë të hetimit, dyshohet se shuma e konsiderueshme e eurove të falsifikuar, hynte nga Maqedonia, me synim këmbimin me valuta të tjera në tregun e valutës në Tiranë.

“Materialet e përpiluara për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës i kaluan për kompetencë Njësisë së Përbashkët hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nën akuzën për veprat penale të Armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Policia tha edhe se po vazhdon puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

“Për këtë çështje nga ana e Prokurorisë dhe drejtuesve të Policisë po realizohet dhe po zhvillohet një punë e kualifikuar profesionale, në drejtim të saktësimit të origjinës së eurove të falsifikuar dhe rrugës së hyrjes së tyre”, - konfirmuan zyrtarë të policisë së Tiranës.

a.k/NOA

Shkarko attachment >> Kliti_Zyka_756245506.jpg

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›