Studentët ndihmojnë fëmijët me sëmundje të vështira
Në pavijonin e ankohematologjisë në shërbimin e pediatrisë, të gjithë ndihen keq kur shohin fëmijët që trajtohen nga sëmundje të vështira. Mungesa e kushteve, medikamenteve, por edhe pacientët që vijnë nga rrethet, vështirësitë e udhëtimit, të prindërve e të të afërmve që i shoqërojnë, janë efekte të tjera anësore të sëmundjeve të gjakut, tumoreve, apo diagnozave të veçanta, të cilat duan kujdes, fonde dhe durim për t’u kuruar.
Një grup studentësh, kryesisht nga Fakulteti i Mjekësisë, por edhe departamenteve të tjera në Universitetin e Tiranës, kanë mbledhur fonde për të blerë një sasi medikamentesh dhe disa dhurata për t’u krijuar për pak çaste një mjedis festiv dhe për të kaluar një ditë ndryshe në pavijonin e pediatrisë së specialiteteve.
“Arritëm të sigurojmë një fond të madh nga donacionet personale të studentëve”, shprehet një prej studentëve. Ndërsa mjekët e këtij pavijoni bëjnë apel për ndihmë të vazhdueshme për këta fëmijë dhe në mënyrë të veçantë në rritjen e sensibilizimit për transfuzionin e gjakut. Kanë qenë mbi 20 studentë të cilët me të ardhurat e tyre kanë bërë të mundur blerjen e medikamenteve të kimioterapisë për këta fëmijë. “Ka qenë një fond prej 100 mijë lekësh, të cilat janë siguruar nga studentët e shoqatës “Ardhmëria”. Në këtë shoqatë nuk janë pjesëtarë vetëm studentë të Fakultetit të Mjekësisë, por edhe të fakulteteve të tjera si Ekonomik, Filologjik, Inxhinieria. Duke qenë se ne studentët e Mjekësisë ishim në vitin e fundit, ku përfshihet edhe lënda e pediatrisë, kemi vendosur t’u vijmë në ndihmë këtyre fëmijëve të vegjël”, kanë pohuar studentët e Fakultetit të Mjekësisë.
“Le të shërbejë ky rast për sensibilizim dhe t’u qëndrojmë pranë këtyre pacientëve që kanë nevojë”, thotë pediatrja onkohematologe, Donieta Bali. Me përfundimin e procedurave tenderiale, drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka premtuar dhënien fund të mungesës së ilaçeve në spitale, si dhe furnizim të bollshëm sidomos për pacientët me tumore.
#