PS-PD, vijojnë përplasjet publike
Mazhoranca dhe opozita vazhdojnë replikat dhe sulmet në distancë përmes deklaratave publike. Deputeti Aldo Bumçi kritikoi kryetarin e opozitës, njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, për gjendjen e trafikut në kryeqytet. Sakaq, ligjvënësi tjetër demokrat, Sherefedin Shehu, vijoi batutat e një dite më parë mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli për dietat dhe pagat. Selia rozë reagoi menjëherë përmes zëdhënëses Armela Imeraj duke hedhur poshtë të gjitha aludimet e ngritura.
Mazhoranca“Dje, deputetë të Partisë Socialiste kërkuan dieta për grevën. Protesta e tyre për dietat ishte qesharake dhe e turpshme. Edhe kur vijnë në Parlament, ata merren vetëm me interesat e tyre personale meskine”, u shpreh Sherefedin Shehu. Gjatë gjithë këtyre ditëve, tha ai, ata kanë kërcënuar administratën e Kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta për ditët e grevës, në kundërshtim me ligjet dhe statusin e deputetit. “Në hakmarrje për mosmarrjen e dietave për ditët e grevës, ata shpifën dhe trilluan, të nxitur nga interesa të paligjshme e të ulëta. Kërcënimi i tyre për t’u shpërblyer me dieta për ditët e grevës ishte shfaqja më banale e një deputeti, që ka për mision jo dietat e tij të paligjshme, por përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve”, nënvizoi Bumçi. Ai këmbënguli se kërkesa e deputetëve të grevës për para dhe dieta është një kalim nga një qëndrim i paligjshëm në një paligjshmëri tjetër. “Edhe Kodi i Punës, në nenin 197, thotë se ‘grevë mund të bëjnë vetëm sindikalistët’. Por po ky kod thotë se ‘edhe kur greva është e ligjshme, gjatë zhvillimit të saj pezullohet e drejta e pagës’. Pale të kërkohen dieta..”, citoi ligjin Sherefedin Shehu. Deputeti Aldo Bumçi deklaroi se “trafiku i automjeteve në kryeqytet është në kufijtë e daljes jashtë kontrollit pas bllokimit të rrethrrotullimit të sheshit ‘Skënderbej’...”. Pavarësisht situatës së krijuar, deputeti demokrat Bumçi tha se qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë situatë, pasi trafiku në kryeqytet tha ai është kompetencë e pushtetit lokal...
Opozita“Njëri flet për trafikun, tjetri flet për grevën, një tjetër flet për Pezën dhe të gjithë flasin për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe ekonomike, ku Sali Berisha po e zhyt vendin përditë”. Ky ishte reagimi i zëdhënëses së Partisë Socialiste, Armela Imeraj. Sipas saj, Shqipërisë i duhet transparencë, Sali Berisha ndalon hapjen e kutive të qeverisë. Shqipërisë i duhet drejtësi, Sali Berisha ndalon votën e fshehtë në Kuvend. “Shqipërisë i duhet mirëqenia, Sali Berisha ndalon rritjen ekonomike. Shqipëria sot nuk ka ato që i duhen, por qeveriset nga ata që nuk e duan. Fajin dhe përgjegjësinë e ka Sali Berisha”, insistoi Imeraj.
#