E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët protestojnë kundër modelit të diplomave

13/01/2009  Infermieria, zv/rektori: Sipas standardeve

GJIROKASTËR - Rreth njëqind studentët, të cilët kanë mbaruar gjatë vitit të kaluar ciklin e plotë 3-vjeçar në degën e infermierisë kanë refuzuar të tërheqin diplomat e universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, me pretendimin se në të mungojnë fotografitë dhe disa elementë të sigurisë. Një përfaqësi e tyre, shumica e të cilëve të punësuar në qendra spitalore në rajonin jugor, pasi kanë protestuar dje në hyrje të Universitetit të Gjirokastrës janë ballafaquar drejtpërdrejtë me zv/rektorin prof. as. Petraq Karajani, për t’u informuar rreth këtij problemi të etiketuar nga ata vetë.

Sipas tyre, diploma e re me format A4, është e pavlefshme pasi në të mungojnë elementët e sigurisë, numri i amzës, numri i protokollit, mungesa e fotografisë së studentit të diplomuar, si dhe mjaft elementë të tjerë çka presupozon se kjo diplomë nuk është e barazvlefshme me universitetet e tjera të vendit. Zv/rektori i Universitetit të Gjirokastrës, Petraq Karajani, ka siguruar studentët protestues, se diploma e lëshuar është prodhuar sipas kërkesave të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, së bashku me elementët e saj të sigurisë. “Protesta e studentëve të sapodiplomuar është disi e nxituar, pasi ata nuk janë të informuar se diploma e vjetër ka dalë nga qarkullimi, për shkak të modelit të vjetruar lindor”, tha për gazetën “Metropol” prof. as. Petraq Karajani.

E. Molla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›