Vetëvrasja pas vjedhjes së shtëpisë së të afërmit
Polici Ushtarak Erand Tresa, dyshohet se u vetëvra, pas një vjedhjeje të ndodhur tek një i afërm i tij në fshat
Të afërmit pohojnë se vetëvrasja duhet të ketë qenë aksidentale për shkak të problemeve me duart
TIRANE- Në periferi të Tiranës ndodhet fshati Damjan pjesë e Komunës Vaqarr të Tiranës, ku banon familja e Erand Tresës, efektivit të Policisë Ushtarake që u vetëvra në banesën e tij dy ditë më parë. Erandi, 23 vjeç, mbeti i vdekur pas një goditjeje me plumb që mori në zemër nga arma e tij e shërbimit. Shtëpia e familjes Tresa ndodhet në skajin më të fundit të Damjanit, në pjesën jugore të fshatit. Në shtëpi nuk gjen njeri tjetër veç gjyshes dhe disa të afërmëve të tjerë, pasi pjesa tjetër janë larguar për të kryer ceremoninë mortore për Erand Tresën. Sapo futesh në banesën e familjes Tresa, brenda në dhomën ku gjeti vdekjen 23 -vjeçari, ndeshesh me një gjurmë të dallueshme të ngjarjes, një vrimë në murin e shtëpisë, krijuar nga plumbi që i mori jetën të riut. Të gjithë, familjarët, të afërmit dhe shokët e tij nuk e besojnë akoma, atë që ka ndodhur. Për familjarët e Erandit, i afërmi i tyre ishte një njeri shumë i qetë dhe nuk kishte asnjë lloj problemi në jetën tij dhe sipas tyre ai kurrë nuk mund të ketë kryer vetëvrasje me dashje. E kundërta në fakt është konfirmuar nga ekspertët e policisë së kryeqytetit sipas të cilëve, ai ishte vetëvrarë në mënyrë të qëllishme. Plumbi i marrë në zemër dhe arma fare pranë e ngjitur me trupin, sipas ekspertëve, janë disa nga elementët që e provojnë këtë fakt. Ndërkaq, shkak i vetëvrajes sipas burimeve të policisë mendohet të jetë fakti se dy net më parë, të afërm të Tresës, kanë denoncuar vjedhjen e një banese afër asaj të Erandit. Në të kundërt, të afërmit nuk e pranojnë këtë fakt.
"Erandi më parë nuk ka shfaqur asnjë lloj shqetësimi dhe shkonte çdo ditë në punë dhe ne nuk e besojmë që ai të ketë vrarë veten. Ai të paktën nuk na ka treguar për asnjë konflikt apo shqetësim që mund të kishte. Plumbi që i mori jetën të afërmit tonë, mund të jetë shkrepur aksidentalisht nga arma",- shprehen familjarët e 23 vjeçarit. Punonjësi i Policisë Ushtarake, sapo është kthyer nga puna, ka shkuar menjëherë në shtëpi, në fshatin Damjan në periferi të kryeqytetit, ku në ato momente, brenda nuk kanë qenë pjesëtarët e tjerë të familjes. Sipas të afërmëve të viktimës, pasi Erindi ka hyrë në banesë, pas pak minuatash kanë dëgjuar krismën e një arme dhe menjëherë kanë hyrë në shtëpi për të parë se çfarë kishte ndodhur. Nëna e tij, gjeti të birin të shtrirë në tokë dhe të mbuluar me gjak. Të afërmit regojnë se efektivi i Policisë Ushtarake, nuk kishte ndërruar jetë në vend, menjëherë pas goditjes , por gjatë kohës që është bërë gati për tu dërguar në Spitalin Ushtarak ka gjetur vdekjen.
Familjarët e Erind Tresës, deklarojnë se policia akoma nuk iu ka dhënë një version të plotë të mënyrës se si është kryer vetëvrasja, prandaj ata nuk e besojnë variantin që i afërmi i tyre të ketë kryer një vetëvrasje me qëllim. Këtë variant ata e mbështesin dhe në faktin se Erindi ka patur një problem shëndetësor ku në disa raste i dridheshin duart në mënyrë të pavullnetshme. Të parët që janë pyetur për ngjarjen kanë qenë familjarët e viktimës, të cilët kanë dëshmuar në polici duke dhënë versionin e tyre për ngjarjen. Edhe kolegët e tij janë pyetur për ngjarjen, me qëllim që të zbardhen arsyet e vërteta të vdekjes së 23- vjeçarit nga fshati Damjan i Tiranës. Por ekspertë e Policisë së Tiranës, pohojnë të kundërtën, duke pretenduar se i riu ka kryer vetëvrasje. Burime të policisë së kryeqyteti tregojnë se skema e ngjarjes të çon në një vetëvrasje dhe kjo është vërtetuar nga ekspertiza në vendin e ngjarjes, në banesën ku Tresa gjeti vdekjen. Policia e kryeqytetit sqaron se janë krye të gjitha verifikimet e duhura dhe nga grupi hetimor i ngritur për këtë çështje është arritur në përfundimin se punonjësi i Policisë Ushtarake ka kryer vetëvrasje dhe shkrepja e armës nuk ka qenë aksidentale. Ngjarja ndodhi ditën e premte në darkë, ku viktima sapo është futur në banesë ka realizuar dhe shkrepjen e pistoletës së shërbimit dhe sipas policisë ka qenë një plumb i vetëm që i ka përshkuar zemrën, duke e lënë të vdekur.
Të afërmit e viktimës: Erandi nuk kishte asnjë shqetësim
Ceremonia mortore për Erind Tresën u zhvillua dje, në fshatin e tij të lindjes dhe aty ku banonte, në Damjan. Pothuajse i gjithë fshati, iu ishte bashkuar dhimbjes së familjes Tresa, duke qenë të gjithë për ngushëllime në familje. Por edhe kolegët e tij të punës, ishin të shumtë dje, që kishin vajtur për t'i dhënë lamtumirën e fundit shokut të tyre. Asnjëri në fshat nuk beson se Tresa mund ta ketë bërë me qëllim vetëvrasjen. Njëri prej të afërmëve të Erind Tresës dhe banor i fshatit Damjan, tregon se 23- vjeçari mund ta ketë qëlluar aksidentalisht veten dhe jo me qëllim. Ai shprehet se "Erindi nuk kishte pse të kryente vetëvrasje dhe kjo është e pabesueshme, por policia do ta përcaktojë përfundimisht mënyrën dhe rrethanat e vetëvrasjes",- tregon i afërmi i viktimës vetëm pak minuta pasi Erind Tresa është përcjellë për në banesën e fundit. Sipas tij, ai kurrë më parë nuk kishte shfaqur asnjë problem apo ndonjë shenjë depresioni. Në momentet që ai ka qenë i vetëm në shtëpi, ka ndodhur dhe ngjarja dhe arma mund të jetë shkrepur nga pakujdesia. Të afërmit e efektivit të Policisë Ushtarake, mbrojnë variantin e vetëvrasjes aksidentale, nisur nga një problem që Erindin e shoqëronte disa herë siç ishte, dridhja e duarve në mënyrë të pavullnetshme. Por për të afërmit e Erindit, policia do të jetë ajo që do të zbardhë ngjarjen, kur të kenë përfunduar të gjitha hetimet.