Studenti i ekonomikut në gjyq për 108 kg drogë
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi dje në gjykatë dosjen penale të ish-studentit të Fakultetit Ekonomik në Gjirokastër, Klodjan Basha, i cili akuzohet për trafikimin e 108 kilëve marijuanë. Burime zyrtare nga organi i akuzës, thanë se prokurori Eugen Beçi ka përfunduar hetimet për këtë çështje ndërsa fashikulli penal u dorëzua në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ish-studenti i Ekonomikut në Gjirokastër, u arrestua më 16 nëntor 2008 me akuzën e trafikimit të ngarkesës me lëndë narkotike, e cila dyshohet se është marrë në Lazarat. "Më 16 nëntor 2008 rreth orës 23.00 patrulla e policisë kufitare në afërsi të Kakavijës në Gjirokastër, 500 metra larg karburantit "EKO", ka gjetur dhe sekuestruar tri çanta të dyshuara me lëndë narkotike", thanë burimet. Policia Kufitare ka raportuar se tri çantat janë braktisur nga tre persona, të cilët kishin ardhur nga rruga nacionale Kakavije-Gjirokastër në drejtim të kufirit të gjelbër me Greqinë. Policia kufitare kishte ndjekur skenën duke vëzhguar me dylbi termike. Pasi kanë parë veprimet e trafikantëve punonjësit e policisë janë afruar për të kapur transportuesit e drogës, por ata janë larguar me vrap në drejtime të ndryshme. "Dy prej tyre kanë ikur në drejtim të Gjirokastrës, ndërsa i treti është larguar në drejtim të rrugës nacionale", thanë burimet. Sipas tyre, personi që u largua i vetëm nga vendi i ngjarjes është Klodjan Basha, 25 vjeç, lindur në Tepelenë, tashmë i arrestuar nga policia.