U plagosën në Gërdec, padisin MEICO-n
TIRANE - Dy bashkëshortë nga Gërdeci, të dëmtuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të predhave në këtë fshat kërkojnë 10 milionë lekë dëmshpërblim nga ndërmarrja MEICO. Me anë të një padie në Gjykatën e Tiranës, Viktor Nikolli, specialist xhenio në fabrikën e demontimit dhe bashkëshortja e tij Dile Nikolli kërkojnë kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi. Paratë kërkohet të paguhen nga ndërmarrja MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe kompania amerikane SAC, e kontraktuar për çmontim municioni në Gërdec. Mësohet se Viktor Nikolli është prej të plagosurve rëndë nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Ciflat e predhave të shpërthyera i shkaktuan atij plagë në të gjithë trupin. Për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore, pas shpërthimit ai ka qëndruar disa ditë për kurim në spitalin e Janinës në Greqi. Vetëm pak ditë më parë çifti Nikolli i është drejtuar Gjykatës së Shkallë së Parë me një kërkesë padi kundër Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes shtetërore MEICO dhe kompanisë amerikane të demontimit të municioneve SAC (Southern Ammunition company INC), si përgjegjës të dëmeve të shkaktuara familjes së tyre. Si palë paditëse në kërkesë padi ishin Dile Nikolli dhe Viktor Nikolli. Bëhet e ditur se kërkesë padia e çiftit Nikolli ka si objekt "shpërblimin dhe kompensimin e dëmeve pasurore dhe jopasurore të shkaktuara paditësve Nikolli si pasojë e dëmtimit të shëndetit të paditësit Viktor Ndue Nikolli nga ngjarja e shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec më datë 15.03.2008". ar.ba