Studenti mposht Teutën, fiton Kupën e Shqipërisë
Studenti është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Skuadra e drejtuar nga Ylli Tomorri triumfoi në finalen e zhvilluar dje në pallatin e sportit "Ramazan Njala" të Durrësit, përballë Teutës vendase. Formacioni kryeqytetas nuk ka zhgënjyer dhe ashtu si pritej, fitoi pa vështirësi përballë të besuarve të trajnerit Doraci. Seti i parë konfirmoi se Studenti ishte skuadra më e fortë, pas rezultatit 25-18. Edhe seti i dytë foli për ekipin e Tomorrit, që edhe pse dukej se lëshuan disi në lojën e tyre, fituan me shifrat 25-20. Teuta tenton të hapë finalen dhe jep maksimumin në setin e tretë, duke e fituar me rezultatin e ngushtë 25-22. Gjithsesi, durrsakët nuk kanë arritur të bëjnë asgjë përballë kualitetit të rivalëve, që kanë në kontingjentin e tyre elementë si Kasa, Tukseferi apo edhe të tjerë dhe dorëzohen në setin e katërt që vendosi edhe fituesin. Studenti fitoi 25-14, ndërkohë që rezultati i përgjithshëm i finales ishte 3-1 për ekipin nga Tirana.