Kuvendi e protestat, sot vendos Asambleja

Partia Socialiste do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën politike
TIRANË - Situata politike dhe përcaktimi i qëndrimit që do të mbahet ditët në vijim do të jenë sot objekt i diskutimeve në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste që pritet t'i nisë punimet rreth orës 11:00 Megjithëse nuk ka një axhendë të shkruar, mësohet se tre do të jenë çështjet më të rëndësishme për të cilat përveç diskutimeve,
do të ketë edhe një vendimmarrje. Më konkretisht, bëhet fjalë për vendimin që do të marrë Asambleja si organi më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve për raportin që do të mbajë grupi socialist me Kuvendin e Shqipërisë. Natyrisht për këtë çështje pritet të ketë debate të gjata për shkak se në PS përveç LMN-së që ka bërë të ditur qëndrimin e saj kundra bojkotit, është evidentuar së fundmi dhe një grup tjetër që kërkon radikalizimin e qëndrimit të PS-së kundrejt institucionit të Kuvendit.
Megjithatë, ajo që ka më shumë mundësi të votohet nga Asambleja do të jetë qëndrimi i shprehur edhe nga kryetari Edi Rama gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë për të mbajtur një qëndrim të kushtëzuar me institucionin legjislativ, për sa kohë që mazhoranca e djathtë nuk pranon të hap kutitë e votimit për të bërë hetimin e zgjedhjeve. Ndërkohë që një vendim i tillë duket se është i kushtëzuar nga ana tjetër edhe me protestat, për të cilat gjithashtu Asambleja pritet të ketë një vendimmarrje, për mënyrën e organizimit dhe datën e fillimit të tyre. Sipas burimeve pranë PS-së, bëhet e ditur se do të synohet që PS-ja të angazhohet në një luftë të sajën në dy fronte; atë legjislative edhe atë të protestave popullore.
Gjithashtu, Asambleja e sotme një pikë të tretë të diskutimeve të saj do ia kushtojë edhe thirrjes së Kongresit të radhës, i cili do të miratojë ndryshimet në statut dhe ato në programin e partisë. Megjithëse data e saktë se kur mund të mbahet kongresi nuk është bërë e ditur, mësohet se me shumë gjasa ai pritet të thirret në dhjetë ditshin e tretë të muajit prill. Kongresi gjithashtu pritet të diskutojë edhe për luftën e deritanishme politike të PS-së, si dhe qëndrimet afatgjata të kësaj force në të ardhmen.