Studim 1.7 milionë euro për sëmundjet
Për herë të parë një studim demografik shëndetësor. Me anë të tij më në fund ministria do të ketë evidenca të bazuara shkencërisht, mbi fertilitetin, vdekshmërinë e fëmijëve nën 5 vjeç, përdorimin e metodave kontraceptive dhe vaksinat. Të dhëna do të mblidhen edhe për gratë shtatzëna dhe fëmijët, ushqyerjen me gji apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Vlera e tij parashikohet të jetë rreth 1.7 milionë dollarë. Prezantimi i këtij studimi u bë dje nga drejtuesit e shëndetësisë. "Studimi Demografik Shëndetësor është një projekt ambicioz në fushën e shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë ka rolin drejtues dhe mbikëqyrës në tërë procesin e zbatimit të Studimit Demografik Shëndetësor, ndërkohë që agjencitë zbatuese do të jenë INSTAT dhe ISHP", tha Godo. Ajo shtoi se ky studim, mbështetet financiarisht nga USAID, UNICEF, UNFPA dhe Kooperacioni Zvicerian. Kompania "Macro International Inc" (USA) e mbështet teknikisht Institutin e Shëndetit Publik dhe INSTAT konform të gjitha kritereve dhe standardeve. Pjesë e studimit pritet të bëhen 8,000 femra të moshës 15-49 vjeç dhe 4,500 meshkuj të po kësaj moshe në tërë territorin e Republikës së Shqipërisë, si edhe fëmijët deri në moshën 6 vjeç, të cilët janë identifikuar në familjet e përzgjedhura. "Periudha e zbatimit të studimit do të jetë viti 2008, deri në fund të vitit 2009. Për realizimin e anketimeve do të angazhohen rreth 100 persona", sqaron Ministrja e Shëndetësisë. Ky dikaster është duke punuar edhe për ngritjen e një sistemi informacioni të integruar në të gjitha nivelet e shërbimit, sepse ne kemi të trashëguar një sistem informacioni të cunguar dhe të fragmentarizuar. "Është e nevojshme dhe e domosdoshme që, studimet e tipit DHS të realizohen periodikisht (çdo 5 vjet). Kjo do të ndihmojë për të vlerësuar impaktin e politikave dhe programeve shëndetësore si dhe për të kuptuar dhe planifikuar qëndrimet e mëtejshme në aspektin shëndetësor", tha ministrja Godo. Ajo shtoi se të dhënat e këtij studimi do të jenë shumë të rëndësishme për ata që duan të kuptojnë situatën aktuale, të përshtatin politikat dhe të planifikojnë ndërhyrje për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës".