E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, nis kompensimi financiar

 

BLEDAR HOTi

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nis procesin e shpërndarjes së fondit prej 500 milionë lekësh. Në një njoftim zyrtar, AKKP-ja ka bërë të ditur, se në datën 3 nëntor do të nisë procesi i mbledhjes së kërkesave prej ish-pronarëve. Depozitimi i kërkesave do të zgjasë për një muaj, gjer më 3 dhjetor. Sipas Agjencisë së Pronave, të gjitha kërkesat e ish-pronarëve do të depozitohen në zyrën qendrore në Tiranë. "Subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim, që nuk kanë përfituar nga kompensimet financiare të mëparshme, të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij sipas viteve. Vlera e kompensimit të jetë e njëjtë deri në 200 m² të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim", thuhet në vendimin e Agjencisë. Kreu i këtij institucioni, Tunxh Vatnikaj në vendimin e nxjerrë me firmën e tij, thekson se nga shpërndarja e këtij fondi do të përfitojnë subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim, pra që në vendimet e komisioneve vendore nuk ka të shprehur për asnjë metër katror kthim fizik. Ndërsa subjektet e shpronësuara, të cilat kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2005, 2006 dhe 2007, të cilët vërtetojnë shlyerjen e detyrimit, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008.
Dokumentet për depozitim
Ish-pronarët duhet të plotësojnë dhe të paraqesin pranë zyrës së AKKP, në qendër, të plotësuar formularët tip 1, Kërkesën dhe  Deklaratën, që i bashkëlidhen këtij vendimi, të plotësuar;
Vendimin e KKKP dhe AKKP, për njohjen dhe kompensimin e pronës dhe planvendosjen bashkangjitur (origjinal ose fotokopje e noterizuar). Gjithashtu, duhet të paraqitin dhe dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm. Në prokurë duhet të përcaktohet e drejta e personit përfaqësues për tërheqjen e vlerës në të holla, në rast se subjekti shpallet fitues. Pagesa që do të bëjnë ish-pronarët për dosjet e reja për kompensimin financiar është 2000 mijë. Ajo do të derdhet pranë zyrës qendrore të financës. Personat që kanë aplikuar më parë nuk e paguajnë tarifën e vendosur nga ana e AKKP-së për këtë vit vetëm në rast se vërtetojnë shlyerjen e detyrimit. Agjencia paralajmëron të gjithë aplikantët, se në rast se kryejnë deklaratë të rreme përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes. Qeveria kishte nxjerrë vendimin, që në muajin qershor të këtij viti për mënyrën e shpërndarjes së fondit prej 500 milionë lekësh. Prej mëse gjashtë muajsh Agjencia e Kthimit te Pronave nuk ka realizuar akoma ndarjen e fondit për shkak të rishikimit të hartës së vlerës së tokës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›