E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet Master, nis sot rregjistrimi në fakultete

MASH-i i ka kërkuar IAL-it të publikojë menjëherë kriteret. Gazeta “Shekulli” publikon datat e rregjistrimit dhe dokumentet

Tarifa e rregjitrimit, 2500 lekë. Komision Ad-Hoc për studentët që kërkojnë Master, jashtë degës ku ata janë diplomuar

Ministria e Arsimit dhe e Shkencave u ka kërkuar institucioneve të arsimit të lartë publik, të shpallin menjëherë kriteret përzgjedhëse për kandidatët që do të kërkojnë të vazhdojnë programet e Ciklit të dytë dhe Master të Nivelit të Parë me kohë të plotë për vitin akademik 2008-2009. Kriteret, sipas udhëzimit më të fundit të dalë nga MASH-i, duhet të publikohen në dekanate, duke filluar nga dita e sotme e në vazhdim. Rregjistrimet e aplikantëve në programet e studimit të ciklit të dytë dhe master i nivelit të parë, me kohë të plotë, udhëzon dikasteri i arsimit, duhet të zhvillohen nga data 23.10.2008, deri në datën 27.10.2008, prej orës 08.00, deri në orën 18.00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore.

Për rregjistrim, aplikantët duhet të dorëzojnë në sekretaritë përkatëse dosjen individuale, e cila do të përmbajë dokumente si; Kopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve, të shoqëruar me listën origjinale të notave; Certifikatë personale me fotografi;2 fotografi, si edhe Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit, prej 2.500 lekë. Po kështu, MASH-i, ka kërkuar që, pranë njësive kryesore përgjegjëse të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, për çdo program studimi të ciklit të dytë dhe master i nivelit të parë, me kohë të plotë, të ngrihen komisione Ad-hoc, për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, në përputhje me kriteret e pranimit të vendosura dhe të shpallura publikisht nga këto institucione. Detyra e komisioneve Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, do të jetë përcaktimi mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur, i njohjes së plotë, ose të pjesshme, të krediteve të fituara për të gjithë ata kandidatë që vijnë nga programe studimi të ngjashme, të ciklit të parë. MASH-i bën të qartë se, Institucionet publike të Arsimit të Lartë, duhet të shpallin dhe të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, brenda orës 16.00, të datës 28. 10. 2008, të ndara sipas programeve të studimit përkatës, si edhe të renditura sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga kandidatët, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Rregjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 29.10.2008, deri në datën 31.10.2008, prej orës 08.00, deri në orën 18.00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, ku dokumentet e aplikantëve jofitues, do t’u kthehen personave kundrejt kërkesës. Në përfundim të Udhëzimit, Ministria e Arsimit u ka kërkuar edhe njeherëinstitucioneve publike të Arsimit të Lartë, që, duke filluar nga dita e sotme, të shpallin në vende të dukshme datat dhe oraret e veprimeve të konkurrimit dhe të rregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për rregjistrim, si edhe njoftime të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në programet e studimit të ciklit të dytë dhe master i nivelit të parë, me kohë të plotë.

Mungojnë kriteret. Studentët në ankth për mënyrën e përzgjedhjes. 30 përqind e fituesve do të përzgjidhen nga rrethet

Masteri, kaos informacioni në fakultete

Gjashtë mijë studentë më shumë se vjet. Fakultetet në pikun e kapaciteteve. Së shpejti në auditore, edhe studentët Master

Çfarë deklaron njëri, nuk të thotë tjetri. Studentët janë të paqartë mbi mënyrën e zhvillimit të studimeve master, si edhe kriteret mbi të cilët ata do të përzgjidhen për të vazhduar programet e nivelit të dytë. Por jo vetëm ata. Kur ka mbetur diçka më pak se një muaj nga fillimi i vitit akademik (të paktën kështu është deklaruar), një sërë dekanatesh gjenden ende të papërgatitur dhe pa asnjë informacion mbi strukturën që do të kenë programet e mësipërme të studimeve. Mungesa e informacionit vihet re edhe në sekretaritë e dekanatëve që të përcjellin me duar bosh, sa herë u kërkon të dhëna mbi formën, me të cilën do të zhvillohen studimet Master. Në Fakultetin Filologjik, prej mëse dy javësh, ka nisur shpërndarja e Formularit, me anë të të cilit synohet të bëhet edhe përzgjedhja. Deri më tani, sipas të dhënave paraprake, formulari është plotësuar nga rreth 120 studentë, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet në nivelin e dytë. Por vetëm kaq, pasi megjithë informacionin e plotësuar, studentët nuk disponojnë asnjë të dhënë tjetër, sesi do të përzgjidhen, kur dihet se kuotat janë të limituara, ndërsa kërkesat janë të shumta. Ankthi shtohet më shumë pas vendimit të fundit të qeverisë për shpërndarjen proporcionale të kuotave të miratuara. Në këtë vendim thuhet se rreth 30 përqind e kuotave në programet Master i Nivelit të Dytë, do të kalojnë për studentët, të cilët kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në universitetet në rrethe, kurse pjesa tjetër (70 përqind), do të plotësohen nga ata, të cilët kanë kryer studimet në Tiranë. Shumë nga studentët e interesuar për të kryer studimet e Nivelit të Dytë, që kanë mbrojtur diplomën në Universitetin e Tiranës, i frikësohen mënyrës së pranimit në këtë program të studentëve nga rrethet, aq më shumë, kur dihet niveli midis institucioneve të arsimit të lartë publik në vend. Edhe vetë drejtuesit e institucioneve arsimore, të kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, janë të paqartë mbi mënyrën se si do të veprohet. Ata presin udhëzime të reja nga rektorati i “Universitetit të Tiranës”, i cili do të zbardhë edhe mënyrën e funksionimit të skemës së përzgjedhjes së kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet në nivelin e dytë.

E paqartë mbetet edhe skema e përzgjedhjes së fituesve në programin Master i Nivelit të Parë. Po kështu edhe pedagogët që do të angazhohen për të qenë pjesë e studimeve Master. Është fakt që, një pjesë e mirë e fakulteteve, nuk disponojnë personelin e kualifikuar akademik me titujt përkatës, për të zhvilluar programe të nivelit të dytë. Njëkohësisht, shqetësues është edhe akomodimi i studentëve. Në vitin akademik 2007-2008, numri i studentëve që u ulën për herë të parë në auditore, ishte 16 mijë, ndërsa këtë vit, në të njëjtat auditore, janë ulur për të nisur studimet e larta, 4 mijë studentë më shumë. Nëse do t’i bashkojmë edhe 2 mijë studentë që pretendojnë të ndjekin ciklin e dytë të studimeve, atëherë situata do të quhej mëse kritike. Ky problem u ngrit dy ditë më parë edhe nga anëtarët e Komisionit të Edukimit, të cilët kërkuan marrjen e masave për përballimin e gjendjes së krijuar në auditore. I pranishëm në punimet e komisionit, ministri i Arsimit, Fatos Beja, u shpreh se, e vetmja mënyrë për të zgjidhur problematikën, është dyfishimi i godinave dhe i stafit pedagogjik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›