E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet e huaja: 40.000 përdorues të të gjitha llojeve të drogave

Autori i Lajmit: red.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave. Organizata Jofitmprurëse "FENIKS", e cila është një organizatë që merret kryesisht me parandalimin e përdorimit të drogave do të organizojë sot një fushatë sensibilizimi për luftën ndaj drogës në vendin tonë. Sipas të dhënave nga kjo organizatë, bazuar dhe në studime të huaja që janë bërë për Shqipërinë, përdorimi i drogave ka gjithnjë e më shumë rritje. Drogat janë bërë problem kryesisht pas vitit 1993. Të dhënat që ekzistojnë aktualisht për përdorimin e drogave në Shqipëri, janë kaotike. Sipas tyre mendohet të ketë pasur 20.000 përdorues droge në vitin 1998, 5000 në vitin 1995. Aktualisht, nga studimi i vlerësimit të shpejtë të situatës (VSHS) dhe vlerësime të tjera si dhe nga të dhënat prej drejtorive të policisë, mendohet se në Shqipëri janë rreth 40.000 përdorues të të gjitha llojeve të drogave, 10.000 prej të cilëve janë përdorues intravenozë të drogës. Nga raporti i studimit të Survejancës Biologjike dhe asaj të Sjelljes, maj 2006, rezultoi se periudha mesatare e injektimit midis përdoruesve intravenozë të drogave, është rreth 2 vjet. Për sa i përket injektimit, droga më e injektueshme është heroina (91%) të rasteve dhe diazepami (51%) të rasteve, ndërsa jo të injektueshme rezultojnë marijuana (47%) dhe kokaina (26%). Sipas organizatës "FENIKS", mendohet që është urgjente nevoja për vlerësimin e numrit të saktë aktual të përdoruesve të drogës në vend. Drogat që kanë përdorim më të gjerë në Shqipëri janë marijuana, heroina dhe kokaina. Në vend të parë, për sa i përket kërkesës për trajtim janë opiatet, kryesisht heroina, e ndjekur nga marijuana, drogat sintetike (ekstazi etj) si dhe kokaina. Ndër përdoruesit e drogës, 88% e tyre ishin ndërmjet moshës 15-24 vjeç, gjysma e të cilëve ishin midis moshës 20-24 vjeç. Shumica dërmuese e tyre janë meshkuj. 65% e përdoruesve të drogës që kanë kërkuar trajtim në periudhën 1995-1999 kishin një shkallë të mesme apo të lartë arsimimi, ku pjesa më e madhe ishin të papunë ose pjesërisht të punësuar. Tirana është qyteti me përqindjen më të madhe të përdoruesve të drogës. Qytete të tjera me risk të lartë janë Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Korça, Berati, Lushnja, etj. Deri në vitin 1999, mënyra kryesore e marrjes së heroinës ishte me anë të tymosjes apo të thithjes me anë të djegies. Përdorimi me anë të injektimit ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje, duke u kthyer në mënyrën kryesore dhe më të përhapur në ditët e sotme. Në Shqipëri shërbime për trajtimin e varësisë nga drogat, aktualisht ofrohen vetëm në Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›